Nuk ka parti shqiptare që ka bërë më shumë për Kosovën dhe kombin shqiptar sesa Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë kryetari i këtij subjekti politik, Kadri Veseli.

Në një organizim të Rinisë Demokratike të Skënderaj, ai ka nënvizuar se “njerëzit e PDK-së, jo vetëm para dhe gjatë luftës, por edhe pas saj, kanë udhëhequr proceset më të rëndësishme për krijimin dhe transformimin e Republikës së Kosovës”.

Veseli tha se PDK është fituese dhe parti me besimin më të madh, sepse rolin më të madh gjithmonë ia beson rinisë, ndërsa përmendi me radhë të gjitha figurat e Rinisë Demokratike ndër vite të cilat sot udhëheqin partinë dhe vendin.

Ai nënvizoi se të rinjtë do të kenë rol edhe më të madh në Dekadën e Re, për ta transformuar dhe fuqizuar PDK-në dhe Kosovën.