Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka reaguar pasi që sipas tyre, Ministria e Arsimit e ka quajtur të paligjshëm trajnimin për maturantët e Podujevës për provimet pranuese në disa drejtime të UP-së, njofton Llapi.info

Në këtë reagim të VV-së thuhet se Ministria e Arsimit këtë po e sheh si pengesë e një aktiviteti vullnetar, jofitimprurës, që ka për qëllim ndihmën simbolike në ngritjen e dijes dhe të motivit që sipas tyre po humbet çdo ditë e më shumë.

Tutje në reagim thuhet se Vetëvendosje në Podujevë do të mbetet e angazhuar në përmisimin e gjendjes në arsim.

Më poshtë reagimi i plotë:

Cilësia e ulët e arsimit në Kosovë, rezultatet e dobëta në Testin PISA, mungesa e mjeteve të konkretizimit nëpër shkolla dhe partizimi i sistemit përmes punësimeve të militantëve partiakë në komunën e Besianës e në vetë MASHT-in, janë probleme që shqetësojnë qytetarët e që po e rrënojnë gjithnjë e më shumë perspektivën e të rinjve.

Ministria e Arsimit qenka deklaruar në lidhje me organizimin e përgatitjeve për provime pranuese nga ana e aktivistëve vullnetarë të Qendrës së Lvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, duke e konsideruar një aktivitet të tillë si të paligjshëm, për të cilin ne vetëm ju kemi ofruar në dispozicion hapësirat dhe resurset tona.

Në kohën kur kjo ministri do të duhej të merrej seriozisht me cilësinë e dobët të arsimit, me degradimin e shkollës, ajo po e sheh si pengesë një aktivitet vullnetar, jofitimprurës, që ka për qëllim ndihmën simbolike në ngritjen e dijes dhe te motivit që po humbet përditë e më shumë, si pasojë e politikave të gabuara e shndërrimit të institucioneve në funksion të partive e grupeve të caktuara të interesit.

Ne mbesim të angazhuar për të përmirësuar gjendjen e rëndë të arsimit në komunën e Besianës, por edhe rritjen e vetëdijes shoqërore për punë vullnetare e në interes të komunitetit.

Prandaj, ndihma e aktivistëve vullnetarë do duhej vlerësuar e konsideruar shembull i të shërbyerit ndaj qytetarëve, e kurrsesi t’ i mveshen prapaskena, që qëllim të vetëm kanë dezinformimin dhe manipulimin e qytetarëve, por edhe mbulimin e paaftësisë dhe të papërgjegjësisë së institucioneve shtetërore e lokale në këtë rast.