Llapi duket se do të jetë ndër skuadrat më aktive në afatin kalimtar të kësaj vere. Pas Bledar Hajdinit, Fiton Hajdarit e Albi Çekiçit, skuadra e Tahir Batatinës ka arritur marrëveshje edhe me mbrojtësin e Vëllaznimit, Ilir Syla.

Lajmi është konfirmuar nga trajneri, Batatina, i cili ka njoftuar se nënshkrimi i kontratës me lojtarin do të bëhet nesër.Syla ishte njëri nga më të mirët te Vëllaznimi në edicionin e fundit, por në fund të kampionatit pësoi një lëndim që ia pamundësoi t’i zhvillojë disa prej ndeshjeve. Megjithatë, ai tashmë është rikthyer dhe pritet t’i ndihmojë Llapin në arritjen e objektivave.

Ndryshe, Batatina ka njoftuar se ditëve në vijim priten edhe prurje tjera. Në anën tjetër, Vëllaznimi që synon rikthimin në Superligë, jo vetëm që nuk ka njoftuar për përforcime, por është duke mbetur pa futbollistë të rëndësishëm që i pati në edicionin e kaluar.