Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka njoftuar se shumë shpejt do t’ia propozojë Qeverisë së Kosovës, miratimin e Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve publikë të fituar në mënyrë të jashtëligjshme.

“Duke qenë i vetëdijshëm për peshën e madhe të përgjegjësisë të cilën e ushtroj, nuk mund të rrijë indiferentë përballë nevojës esenciale që të rishikojmë dhe avancojmë politikën ekzistuese të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, në standarde krejtësisht të reja, më funksionale dhe më efikase”.

“Krahas ndryshimeve të bëra në Projekt-Kodin Penal të Republikës së Kosovës, është po aq e rëndësishme që të arrijmë përmirësimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative, përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale qoftë nga pozitat politike e publike të fituara nga korrupsioni, krimi i organizuar e keqpërdorimi i detyrës zyrtare e veprave të tjera, apo qoftë nga aktiviteti privat i biznesit të paligjshëm, pastrimit të parave, narkotikeve, trafikimit në format e tij, e shumë veprave tjera, paralelisht me vënien e tyre para drejtësisë dhe ndëshkimit nga forca e ligjit”, ka shkruar Tahiri në Facebook, përcjell Klan Kosova.

Sipas tij ky Projektligj paraqet reformë të thellë në segmentin e konfiskimit të pasurisë të fituar me vepër të paligjshme dhe njëkohësisht është goditje direkte ndaj veprimtarive kriminale të cilat sipas tij për kohë të gjatë janë pengesa reale për progresin e vendit

“Këto ditë do t’i propozoj Qeverisë miratimin e Projektligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara në Konfiskimin e Pasurisë dhe ky proces do të jetë kyç për vendosjen e konceptit më të avancuar të konfiskimit, zbatimi i të cilit do të zë vend përfundimisht në realitetin tonë”.