Policia në Mitrovicë ka zhvilluar takim me autoritetet komunale, ku temë diskutimi ishte domosdoshmëria e vlerësimit praktik të gjendjes së lumenjve, pishinave, e në fokus zonat përgjatë liqenit artificial në Mitrovicë.

Kjo vjen një ditë pas vdekjes tragjike të një të riu në një pishinë të qytetit.

Komandanti i stacionit policor Ahmet Xhosha prezantoi objektivat që parashihen të ndërmerren bazuar në planin e veprimit, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në zonat e lumenjve, pishinave dhe liqenit artificial, ku pritet të frekuentohen nga numër i madh i qytetarëve.

Bazuar në një plan veprimi njësitë sektoriale në kuadër të stacionit policor ‘Jugu’ në Mitrovicë, kanë bërë identifikimin e disa nga vendeve dhe zonat të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët. Identifikimi i këtyre hapësirave është vlerësuar si rrezik potencial për frekuentuesit, ku mbi bazën e këtij vlerësimi Policia ka sugjeruar autoritetet komunale që të ndërmarrin masat e sigurisë në zonat e identifikuara si:

-përgjatë zonës së liqenit artificial të shtohet numri i shenjave të rrezikut dhe paralajmëruese për vizitorë të shenjëzohen segmentet për thellësinë, rrymat e ujit dhe rreziqet tjera të mundshme.

-vendosja e pengesave (barrierave në afërsi të digave) nga fakti se vrulli i ujit paraqet rrezik kryesisht për fëmijë.

Çështjet e ngritura nga Policia u vlerësuan nga autoritetet komunale në Mitrovicë, të cilët shprehen gatishmërinë për të bashkërenduar aktivitete në krijimin e kushteve dhe sigurisë, si dhe u zotuan se brenda mundësive do të ndërmarrin masat e parapara në plotësim të shenjave dhe barrierave.

Ndërsa si vlerësim i përbashkët dhe domosdoshmëri u vlerësua angazhimi i klubit të zhytjes ‘Trepça’ gjegjësisht dislokimi i këtij klubi gjatë sezonit veror në zonën e liqenit, ku autoritetet komunale në Mitrovicë u zotuan se këtë çështje do ta trajtojnë me prioritet, nga fakti se qëndrimi i këtij klubi afër liqenit do të jetë një mekanizëm shtesë i ofrimit të sigurisë në atë zonë.