Seanca fillestare që parashihej të mbahen sot ndaj Enver Sekiraqës në procesin gjyqësor për vrasjen e policit Triumf Riza është shtyrë në mungesë të kryetarit të trupit gjykues, Shasivar Hoti. Bëhet e ditur se gjykatësi Hoti gjendet në pushim.

Kujtojmë se lënda ndaj Enver Sekiraqës është transferuar te gjyqtarët vendorë pas kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit të kaluar dhe që nga atëherë ende nuk është mbajtur asnjë seancë.

Kur Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit të kaluar ktheu rastin në rigjykim, mori vendim që edhe ta lirojë Sekiraqën nga paraburgimi.

Por, ai nuk qëndroi më shumë se 30 orë jashtë grilave, ngase Gjykata e ktheu shpejt në burgun e sigurisë së lartë në Dyz të Podujevës.

Që nga atëherë, Sekiraqës i është vazhduar tërë kohën paraburgimi.

Enver Sekiraqa është i dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza.

Më pas, rastin e trajtoi Gjykata e Apelit me ç‘ rast edhe e ktheu në rigjykim.

Për vrasjen e policit Triumf Riza në gusht të 2007-ës tashmë është i dënuar Arben Berisha.

Ky i fundit është dënuar me 35 vjet burgim.

Sekiraqa ishte vetëdorëzuar në EULEX disa vjet pas vrasjes së Triumf Rizës.

Pas një varg seancash Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim nën akuzën se planifikoi vrasjen e policit Triumf Riza.

Në procesin ndaj tij një varg personalitetesh VIP kishin dëshmuar për ngjarjet rreth Rizës dhe Sekiraqës./kallxo.com