​I është dhënë pasditen e sotme lamtumira e fundit legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit.

Njeriu që bëri shumë për sportin tonë, njeriu që shihet si më meritori që sot Kosova është e anëtarësuar në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit, FIFA e UEFA, është varrosur me shumë nderime në varrezat e Prishtinës.

Në ceremoninë e varrimit të Fadil Vokrrit janë mbledhur shumë qytetarë, ndërsa të pranishëm janë edhe zyrtarë të FIFA-s, krerë shtetëror të vendit, personalitete të jetës publike të Kosovës, si dhe i gjithë komuniteti sportiv.

Me rastrin e vdekjes së Fadil Vokrrit, i cili ndërroi jetë dje pas një ataku kardiak, në moshën 58-vjeçare, Presidenca e Kosovës e shpalli ditën e sotme ditë zie, me ç’rast u ulën në gjysmë shtize flamujt shtetërorë në të gjitha institucionet e shtetit, si në vend, ashtu edhe jashtë tij. Gjithashtu, homazhe njeriut që e promovoi Kosovën në tërë botën përmes futbollit, iu dhanë edhe në Kuvendin e Kosovës./Express