Cristiano Ronaldo ka shkëlqyer kundër Spanjës me het-trik, ku Portugalia mori një pikë duke barazuar 3-3 në ndeshjen e parë në Botërorin e Rusisë.
Heroi i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, e ka quajtur het-trikun që realizoi si “më të mirin personal” dhe insistoi se skuadra e tij meritoi të paktën një pikë në barazimin 3-3 me Spanjën të premten mbrëma.
Ronaldo hapi serinë e golave pas dy minutave lojë nga penalltia, barazoi Costa në minutën e 24’, ndërsa para se skuadrat të shkojnë në pushim, CR7 realizoi edhe njëherë, kësaj radhe me ndihmën ë një gafe të David de Geas.
Me të filluar pjesa e dytë, Costa sërish barazoi rezultatin kundër Portugalisë, 2-2, ndërsa Nacho me një super goditje, dërgoi topin në rrjet për ta kaluar për herë të parë Spanjën në epërsi, që qëndroi deri në minutën e 89’ kur magjiku, Cristiano Ronaldo, konvertoi në supergol një goditje dënimi, për rezultatin përfundimtar 3-3.
“Gjithmonë besoj në vete, punoj për këtë”, tha ai për RTP pas ndeshjes.
“Dua të përgëzoj gjithë ekipin për përgjigjen, luajtëm deri në fund, nuk u ndalëm së luftuari. Barazimi është i drejtë”.
Ndërsa për het-trikun, portugezi iu tha gazetarëve: “Jam shumë i lumtur. Është më i miri personal. Është një moment fantastik. Një më shumë në karrierë”.
“Por, më e rëndësishmja, është mënyra se si luajti ekipi. Luajtëm kundër një kundërshtari fantastik, mendoj se rezultati është i drejtë. Natyrisht se jemi shumë të lumtur sepse ndeshja po shkonte drejt fundit dhe arritëm të barazonim”, shtoi CR7.
Ronaldo më pas foli edhe për gjasat që ka Portugalia për të triumfuar në Rusi.
“Nuk jemi favorit, por jemi kandidat. Do të bëjmë më të mirën. Tani duhet të tentojmë të fitojmë të mërkurën kundër Marokut për të kaluar në fazën tjetër. Mendoj se ekipi po bën punë të mirë”.