Kur ka nisur java e dhurimit të gjakut, një numër i madh i qytetarëve i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të dhuruar gjak që të shpëtojnë jetë.
Vjollca Qavolli për RTV Dukagjinin, thotë se ka 15 vite që dhuron gjak, por edhe kjo i duket e pamjaftueshme.
“Dhuroj gjak për disa vite, por e konsideroj të pamjaftueshme. Kisha pas qejf të filloj para 30 viteve, gjë të cilën nuk e kamë bërë, për çka edhe jam penduar, por e kam bërë 15 vitet e fundit”, ka deklaruar Vjollca Qavolli, një dhuruese e rregullt e gjakut.
Qani Haliti edhe pse ka kaluar tashmë moshën 65 vjeçare, nuk e braktisë këtë vepër humane, përcjell Telegrafi.
“Mbi 50 herë kam dhënë gjak. Kënaqësinë më të madhe e kam atë ditë kur pres të jap gjak, por këtë vit për shkak të Ramazanit e kam shtyrë”, shprehet humanisti 65 vjeçar.
Bukurie Zhubi, ushtruese e detyrës e drejtoreshës së Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, ka thënë se dhurimi i gjakut ka edhe përfitime shëndetësore.
“Të dhënat e fundit dokumentojnë se dhurimi i gjakut zvogëlon shkallën e sëmundjeve kardiovaskulare, sëmundjen e kancerit etj., dhe ndikon në ngritjen e imunitetit”, deklaroi Bukurie Zhubi.