Prej 15 deri në 20 mijë euro, është shuma që Ardian Gashi, është i gatshëm ta pranojë në emër të kompensimit të dëmit, nga pala e paditur firma “Ylli Petrol”, me pronar Ramiz Gashi, për lëndimet që paditësi pretendon se i ishin shkaktuar në vendin e punës.
Paditësi Ardian Gashi, ish-punëtor në zdrukthëtarinë që funksionon në kuadër të “Ylli Petrol”, po kërkon kompensim të dëmit, me pretendimet se kjo e drejtë i takon pasi që ka humbur njërin gisht të dorës, teksa ka punuar në këtë firmë.
Lidhur me këtë çështje, të enjten është mbajtur seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas avokatit Xhavit Krasniqi, përfaqësues i paditësit Gashi, ekziston mundësia që pas ekspertizës së ekspertit të mbrojtjes dhe sigurisë në punë, i cili kishte konstatuar se firma “Yll Petrol” kishte bërë mbi 24 lëshime, të arrihet një marrëveshje me tani të paditurin Ramiz Gashin, si pronar i asaj firme, për kompensimin e dëmit.
Pasi që si pasojë e një aksidenti në punë ai kishte këputur gishtin e mesëm të dorës së majtë dhe kishte lënduar edhe gishtin tregues të së njëjtës dorë, sa ishte duke punuar pa kontratë pune te i padituri.
Sipas avokatit Krasniqi, në padi nuk është precizuar shuma e dëmit të shkaktuar në këtë rast, por që sipas tij, nga praktika gjyqësore shuma më e lartë e kërkuar është 40,000 mijë euro.
Mirëpo, ai tha se është i gatshëm të negociojë edhe lartësinë e kompensimit të dëmit të shkaktuar me palën e paditur, që kjo shumë të jetë prej 15-20.000 mijë euro.
Ndërsa, inicimin e një marrëveshje të mundshme mes dy palëve ndërgjyqëse sipas avokatit Krasniqi e kishte bërë pala e paditur me përfaqësues Emrush Kastratin, e që i njëjti tha se brenda një kohe mund të diskutojnë lidhur me lartësinë e kompensimit të dëmit material dhe jo material.
Përderisa, eksperti i sigurisë dhe mbrojtës Bajram Bytyqi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë ekspertizës së tij, në të cilën kishte konstatuar se nga ana e paditësit Gashi nuk kishte pasur lëshime përpos një që ishte kujdesi apo vigjilenca jo adekuate në punë, ndërsa për të paditurin kishte konstatuar se kishte pasur afërisht 24 lëshime.
Gjykatësja Mihane Ismajli njoftoi palët se gjykata e mirëpret lajmin për arritje të një marrëveshje , mirëpo nëse marrëveshja nuk arrihet të bëhet atëherë seanca e radhës do të mbahet më 20 shtator 2018 ne ora 10:00.
Adrian Gashi ka paraqitur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, respektivisht në Departamentin Civil më 29 dhjetor 2014, duke kërkuar kompensim dëmi lidhur me një dëmtim të cilin pretendon se i ishte shkaktuar gjatë kohës sa kishte punuar si në zdrukthëtar në “Ylli Petrol”.
Sipas padisë, paditësi më 13 gusht 2014, gjatë punës në orën 17:20, kishte këputur gishtin e mesëm të dorës së majtë dhe kishte lënduar edhe gishtin tregues të së njëjtës dorë.
Nga gjykata, sipas kësaj padie, kërkohet që të obligohet i padituri “Ylli Petrol”, që në emër të dëmit material dhe jo material ta kompensojë të paditësin, me arsyetimin se me këtë gjë atij i është zvogëluar aftësia punuese, ka pasur shëmtim dhe dëm edhe material dhe jo material.
Andaj në emër të dëmit material të dhimbjeve fizike të të gjitha intensiteteve dhe frikës së përjetuar kërkon kompensim nga pala e paditur./Betimi për Drejtësi