Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, të datë 22 qershor 2018 për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit L.A. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të shantazhit.

Përmes një njoftimi për media të Gjykatës Themelore në Ferizaj bëhet e ditur se L.A. dyshohet se ka shantazhuar të dëmtuarën K.V..

“I pandehuri L.A. dyshohet se më 21 qershor 2018, ka shantazhuar të dëmtuarën K.V., duke i kërkuar dyqind euro në këmbim të telefonit të saj të cilin ditë më parë i kishte marr dhe në rast se nuk e siguron këtë shumë të parave do t’i publikojë në “Youtube” disa foto të cilat janë në telefon të të dëmtuarës, me këto veprime i pandehuri L.A. dyshohet se ka kryer veprën penale shantazhi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Ferizaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, konform nenit 187 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Ndaj këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit por kjo nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit.