Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, po paralajmëron heqjen e tarifave të roamingut me shtetin e Maqedonisë.
Ahmeti në cilësinë e burrështetasit të Kosovës ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev ku të dy këta shprehën nevojën e bashkëpunimit regjional.
I pari i Prishtinës këtë njoftim e ka bërë pas takimit me kryetarët e Athinës, Zagrebit dhe Shkupit, si dhe kryeministrit e Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Pas takimit me kryetarët e Athinës Giorgos Kaminis, Zagrebit Milan Bandic dhe Shkupit Petre Silegov në Shkup, takuam shkurt edhe kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev ku theksuam nevojën e bashkëpunimit të shtuar regjional. Shpejtë, si PSD do të iniciojmë edhe heqjen e tarifave të roamingut me Maqedoninë”, ka përfunduar Ahmeti.
Ndryshe, paria e Ahmetit, PSD, tashmë ka nisur një rezolutë për heqjen e tarifave të roamingut me Shqipërinë, e cila mori votën pro të 69 deputetëve të Kosovës.
Me marrëveshjen e arritur së fundi në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, emri i ri i shtetit të Maqedonisë është “Republika e Maqedonisë së Veriut”, emër ky i cili ende zyrtarisht nuk ka filluar të përdoret, sepse pret miratim përmes Kuvendit dhe referendumit në Maqedoni.