Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka marrë pjesë në Këshillin Joformal Ministror, të organizuar nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë.
Në këtë këshillë kanë marrë pjesë ministra, zëvendësministra, sekretarë shtetesh, nga fusha e mjedisit, ekonomisë e energjisë të shteteve të ndryshme duke përfshirë Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë, Hungarinë, Austrinë, Gjermaninë, Danimarkën, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe të tjera, njofton ministria, përcjell Klan Kosova.
Në fjalën e saj para të pranishmëve ministrja Reshitaj ka folur për sfidën e ndryshimeve klimatike me të cilën po ballafaqohet bota me ç’rast ka kërkuar që shtetet bashkërisht të punojnë në reduktimin e ngrohjes globale.
“Kosova është në fazen e miratimit të Strategjisë për Ndryshimet Klimatike duke u angazhuar në reduktimin e ngrohjes globale, reduktimin e emisioneve ndotëse nga industria, duke promovuar ekonominë e gjelbër dhe energjinë e ripërtërishme në vend” ka thënë Reshitaj.
Gjatë kësaj kohe ministrja Reshitaj ka pasur takime bilaterale edhe me Elizabeth Press, Drejtoren e Agjencisë së Energjisë së Ripertëritshme, Laurence Tubiana, Drejtoren e Fondacionit Evropian Klimatik, Christopher Joens nga Komisioni Evropian, ish ministren e mjedisit dhe përfaqësuesen e Danimarkës në Komisionin Evropian Connie Hedegaard Kokabang, Barbara Botos, zëvendëssekretaren e shtetit Hungarez për ndryshime klimatike etj.