Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka deklaruar se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë.

Limaj nga kuvendi i kësaj partie, ka ftuar edhe të gjitha partitë tjera politike për të marrë pjesë në këtë dialog, ndërsa ka thënë se nuk besojnë në dialog me individ dhe se nuk pranojnë dialog që nuk ka marrë miratimin e Kuvendit.

“Dialogu, ne besojmë si Nismë që në qendër të çdo rezultati për të arritur objektivat dhe interesat e qytetarëve është dialogimi. Por dialogim duke mbrojtur interesat e vendit tonë.   Nisma është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj edhe në dialogun me Serbinë që do të qonte në krijimin e një marrëveshje finale me shtetin serb. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë. Duhet gjithëpërfshirës, ftojmë të gjitha partitë politike që të mos i ikin kësaj përgjegjësie, ta ndërtojmë një konsensus dhe bashkë të marrim pjesë në këtë dialog. Ne nuk besojmë në dialog me individ, nuk pranojnë dialog që nuk është miratuar në kuvend. Koha e fundit është që të bëhemi bashkë dhe të marrim përgjegjësi”, tha ai.

Kreu i Nismës ka thënë se nuk do të ndalen duke punuar për realizimin e të gjitha premtimeve që i kanë bërë. Gjithashtu, tha se do të vazhdojnë punën që sa më parë vendi të ketë ushtrinë.

Limaj ka thënë se nga kuvendi i kaluar zgjedhur nisma ka kaluar në dy procese zgjedhore.

“Ne kishim dy objektiva, e para ishte që nisma të marrë pjesë sa më shumë në kuvendet komunale. Sot dy vite pas ne kemi arritur objektiven e parë. Nisma është në të gjitha asambletë komunale dhe në shumë komuna në bashkëqeverisje. Objektivi ynë i dytë në atë kuvend ka qenë që nisma të jetë në parlament dhe të jetë partner i koalicionit udhëheqës. Sot ne jemi në qeveri. Pas realizimit të këtyre objektivave ne nuk u ndalëm”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se do të vazhdojnë të proklamojnë një politikë që ofron dhe bashkon njerëzit.

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha partitë politike. Nisma do të vazhdoj partneritetin me të gjitha partitë politike”, tha Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka thënë se partia pjesë e të cilit është edhe ai është parti e shpresës për kosovarët.

“Rruga e Nismës socialdemokrate është një rrugë që ngjallë optimizëm, shpresë tek qytetarët tanë. Rinisë së Kosovës i duhet perspektiva, dhe këtë perspektivë jau garanton nisma socialdemomrate. Kosovës i duhet të qeverisë me të një parti socialdemokrate dhe nisma është ajo që i duhet Kosovës. Nisma socialdemokrate është një frymë që i duhet Kosovës” tha ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen kësaj partie.