Mbrëmë ka ndodhur një rast i rëndë në veri të Mitrovicës, ku është rrahur një djalë i ri shqiptar nga një grup i serbëve te vendi i quajtur “Tre rrokaqiejt”.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30 minuta derisa 15 vjeçari shqiptar ishte duke u kthyer për në shtëpinë e tij në Suhodoll, me ç’rast ai është ndaluar nga një grup i serbëve të maskuar të cilët e kanë rrahur rëndë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Bëhet fjalë për 15 vjeçarin Ridon Hajdari i cili është banor i Suhodollit, raporton Veriu.info.
Hajdari ka rrëfyer momentet e tmerrshme që ka përjetuar derisa ishte duke u kthyer për në shtëpinë e tij.
“Kam qenë duke u kthyer nga pjesa jugore dhe si zakonisht kam kaluar urën e Ibrit dhe kam vazhduar në drejtim të Suhodollit, dhe në momentin që kam arritur te “Tre rrokaqiejt” më kanë dalë përpara një grup i personave të maskuar. Grupi ka qenë goxha i madh diku rreth 10 persona dhe kanë filluar të më godasin me shkelma, grushte dhe gjësende tjera. Ata vazhdimisht flisnin serbisht dhe më shanin në gjuhën e tyre. Ka qenë një moment i tmerrshëm ajo që kam përjetuar në rrugën për në shtëpinë time. Më kanë lënduar në çdo pjesë të trupit por më së shumti e kam të lënduar hundën”, ka thënë Ridon Hajdari.
Veriu.info ka siguruar edhe disa fotografi ku shihen lëndimet e rënda që ka marrë i riu shqiptar.