Policia e Kosovës thotë se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e festës religjioze ortodokse të Vidovdanit, që festohet më 28 qershor.

Sipas një njoftimi, Policia ka thënë se ka shtuar masat e sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike para, gjatë dhe pas manifestimeve.

“Me qëllim të garantimit të lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët, në lokacionet ku do të ketë kufizime, bllokime të plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara të rrugëve, në zonat ku konsiderohet se do të zhvillohen manifestime të ndryshme, siç janë: Prishtina, Graçanica, Gazimestani etj., do të angazhohen zyrtarë policorë të mjaftueshëm, me qëllim të ridrejtimit të komunikacionit dhe ofrimin e kushteve për qarkullimin normal për të gjithë shfrytëzuesit e komunikacionit rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia po ashtu ka thënë se do të bëjë ridrejtimin e komunikacionit, varësisht nga situata, me qëllim të shmangies së tollovive.

Në fund, Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë dhe mirëkuptim nga qytetarët për problemet e mundshme në qarkullimin rrugor si deh ka kërkuar që qytetarët të mos bien pre e provokimeve të mundshme gjatë manifestimit.