Komisioni Europian pritet shpejt të dalë me raportin ku do të jepet vlerësimi se a janë plotësuar të gjitha kriteret. Shefi i Stafit të Kryeministrit, Avni Arifi, beson shumë ky raport është çështje ditësh. Bashkëpunëtori i Haradinajt beson se do të hapet rruga e heqjes së vizave.

Se a do të jetë ky muaj vendimtar dhe Kosova përfundimisht ta di fatin e saj sa i përket vizave, mbetet të shihet. Megjithëse zyrtarët e shtetit shprehen optimistë se raporti që do të dalë këto ditë, do të jetë pozitiv për Kosovën.

Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për Gazetën Express se është çështje ditësh nga ardhja e këtij raporti, dhe thekson se ka arsye të besohet se ky raport do t’i hapë Kosovës rrugën drejt liberalizimit të vizave.

Ky zyrtar i lartë në Qeverinë Haradinaj duke i komentuar raportimet se ka gjasa që deri në vitin 2019 të shtyhet liberalizimi, dhe krejt kjo për shkak të frikës se mund të rriten partitë e ekstremit të djathtë, që ndërlidhet edhe me zgjedhjet në Parlamentin Evropian, vlerëson se BE’ja nuk devijon nga qëllimi i saj për popujt e Ballkanit.

“Nuk dua të hyjë në natyrën e spekulimeve të llojllojshme depresive, por BE’ja që nga vitet e ’90-ta e ka hap perspektivën evropiane për popujt e Ballkanit dhe shtetet e Ballkanit dhe pavarësisht zhvillimeve të brendshme që kanë pas asnjëherë nuk i është shmang qëllimit se të gjitha vendet e Ballkanit të integrohen tërësisht në BE”, është shprehur, Arifi, të mërkurën.

Komisioni Evropian pritet që të jap një mesazh përfundimtar rreth ecurisë që Kosova ka bërë në drejtim për heqjen e vizave.

Njëri prej organeve kryesore të BE-së do të sqarojë pozicionimin e saj rreth raportit dhe punëve që janë bërë për këtë proces.