Projekti më i madh i Qeverisë së Serbisë në territorin e Kosovës po realizohet ngadalë e në heshtje. “Lugina e Diellit” në Zveçan po vazhdon së ndërtuari pa kurrfarë telashi, raporton KTV.

Në fund të vitit të kaluar, shumica e shtëpive ishin pa kulm, pa dyer e pa dritare. Por, tashmë në to është kryer puna e vrazhdë, e u mungon vetëm fasada.

I vetmi asamblist shqiptar në Kuvendin e Zveçanit, Lavdim Peci thotë se ky projekt i qeverisë serbe po bëhet më qëllim të largimit të shqiptarëve nga ajo pjesë.

Përderisa shton se duke qenë i vetmi shqiptar në Kuvendin Komunal është i pafuqishëm, përgjegjësinë e hedh te Qeveria e Kosovës.

Para një viti, Ministria e Mjedisit kishte urdhëruar ndaljen e punimeve e më vonë kishte ushtruar padi ndaj Komunës së Zveçanit lidhur me nderimin e këtij projekti. Por, Inspektorati i Ministrisë nuk është në dijeni të punimeve të fundit.

Në Komunën e Zveçanit, të martën, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje lidhur me këtë projekt. Projekti “Lugina e Diellit” përfshin një sipërfaqe prej 24 hektarësh, ku parashihet vendosja e rreth 1500 serbëve.