Mbi 30 punëtorë të Agjencisë Pyjore të Kosovës, përveç rrogës bazë, marrin edhe nga 30 euro shtesë.

Pos 29 punëtorëve që janë në marrëdhënie pune, sipas Ligjit të Punës, kanë përfituar edhe katër punëtorë, të cilët kanë qenë me kontratë mbi vepër.

Sipas Raportit të Auditorit, shtesat kanë qenë pagesa të parregullta, pasi janë dhënë pa akt emërim dhe duke mos u bazuar në ligj, raporton KTV.

Vetëm në vitin 2017, për këto shtesa janë dhënë 10 mijë e 250 euro nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë.

Në Agjencinë Pyjore të Kosovës, përmes një përgjigjeje elektronike, kanë thënë se kjo është bërë për shkak të ndryshimit të llojit të kontratës, gjë që ka shkaktuar uljen e pagës.

Por nuk kanë dhënë detaje se sa kohë ka aplikimi i kësaj praktike dhe për sa kohë do të vazhdojë në të ardhmen.

Meqenëse këta të punësuar fillimisht kanë themeluar marrëdhënie të punës si Shërbyes Civil dhe pastaj janë kategorizuar si shërbyes publikë, kishte efekte edhe në lartësinë e pagës dhe me qëllim të mosdiskriminimit në pagë dhe problemeve të mundshme zyrtare, iu është ruajtur lartësia e njëjtë e pagës. Ndërsa për punëtorët me të angazhuar për shërbime të veçanta nga janari i 2018-ës, shtesa prej 30 euro nuk është kompensuar.

Në Organizatën Çohu thonë se kjo praktikë paraqet keqmenaxhim të parasë publike, duke ditur se nevojat e punëtorëve të agjencisë janë edhe për pajisje elementare.

Boletini tregon se kjo agjenci ka edhe mungesë të punëtorëve, gjë që po rezulton me menaxhimin jo të mirë të pyjeve.

Auditori tregon se ky veprim shkakton humbje financiare për ministrinë.

Për këtë ka rekomanduar që pagat të bëhen duke u bazuar në buxhet dhe në përputhje me vendimet e qeverisë.