Kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci në një intervistë për “Gazeta Zëri”, ka folur në lidhje me sistemin gjyqësor për të cilin tha së ligjërisht është i pavarur.

Ai ndër të tjera ka folur po ashtu edhe për publikimin e raportit të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave

Më poshtë lexojeni se çfarë thotë Peci:

Zëri: Ju personalisht çka mendoni, sistemi gjyqësor është i pavarur apo ndikohet nga politika?

Peci: Ligjërisht është i pavarur. Ekzistojnë ndoshta. Në të gjitha këto shtetet e Ballkanit është një dozë e rrezikut që ka ndikime politike dhe ndoshta kjo është edhe në Kosovë, ndoshta nuk mund të jemi përjashtim prej të tjerëve.

Zëri: Pak ditë na ndajnë nga publikimi i raportit të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, të cilat i kanë monitoruar rastet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në gjykatat vendore. Si e komentoni faktin kur rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin, ku janë të përfshirë zyrtarët e lartë publikë, po përfundojnë me lirim ose me dënim me kusht?

Peci: Personalisht mendoj se nuk është në rregull politika ndëshkimore. Nuk po hyj në atë që po lirohen, por po hyj në çështjen se nëse dikush shpallet fajtor për këto vepra penale, ku rrezikshmëria është shumë e lartë, për shkak të pasojave, por edhe të vet kryesve të veprave penale të cilët zakonisht janë persona zyrtarë sipas ligjit. Konsideroj se në politikën ndëshkimore kemi vërejtje të gjithë, nëse s’ka prova normal që lirohet, sepse unë s’po hyj në atë kuptimin a ka pasur prova a s’ka pasur, mirëpo nëse dikush shpallet fajtor dhe i jepet dënim me kusht me të vërtetë është shqetësuese, pikërisht për shkak të rrezikshmërisë së këtyre veprave penale. Në këtë drejtim ne si Gjykatë Supreme jemi në përpjekje të bëjmë një udhëzues për politikë ndëshkimore. Ne tashmë kemi miratuar atë udhëzues, por së shpejti do të analizohen rastet e korrupsionit dhe do të shikohet a ka unifikim në kuptimin e politikës ndëshkimore, a po shqiptohen për vepra të ngjashme penale, për kryes të veprave penale me rrethana përafërsisht të njëjta, për shkak se kemi dyshime se për disa raste po jepen dënime më të buta, për disa më të ashpra. Në këtë udhëzues është specifikuar se çka konsiderohet rrethanë lehtësuese e çka rënduese, sepse i kanë përzier edhe gjykatat, është bërë njëfarë përshkrimi i rrethanave kur duan t’ia zbusin dënimin dikujt, e merr një rrethanë e cila ndoshta është rënduese e bën lehtësuese. Do të bëhet një grafikon përafërsisht sa mund të zbritet dënimi, varësisht se cilat rrethana bien, a janë lehtësuese ose rënduese.