60 mësimdhënës në vitin 2019 në Podujevë do të mbesin pa paga, njofton Llap.info
Këtë e ka bërë të ditur në seancën e mbajtur në Kuvend të Podujevës, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Rafet Llapashtica i cili shtoi se largimi i 60 përnjëherë është një numër i madh.
“Më ka shqetësuar lajmi që na e dha dje në Komitetin për Politikë dhe Financa drejtori për Buxhet dhe Financa se në vitin 2019 do të largohen 60 punëtorë të arsimit. Kjo po ndodh për shkak të angazhimit të stafit gjatë fushatës zgjedhore. Angazhimi i stafit me ligj është në proporcion me numrin e nxënësve.
“Por angazhimi i dyfishtë në kohë fushate ose pas saj ka bërë këto dëme. Nën 1. dëmi është se në 2019, 60 mësimdhënës do të hiqen, 2. është dëmtuar stafi profesional që ia keni marrë orët edhe ua keni dhënë të tjerëve duke e dëmtu profesorin profesional. Kurse 3 i keni dëmtuar edhe prindërit e nxënësit që u keni dërguar mësimdhënës joadekuatë”, e duke punësuar në Arsim pa konkurs”, ka thënë Llapashtica.
Tutje ai shtoi se Drejtoria e Arsimit nuk e di se çfarë do të bëj me ta, do t’i sistemojë apo do të mbesin në rrugë.
Në lidhje më këtë, zyrtarët komunalë kanë thënë se ata do të mbesin pa paga me ‘urdhër’ të Ministrisë së Financave.
Pos kësaj, Drejtori i Arsimit në Podujevë Agim Blakçori, shtoi se në Arsim nuk është pranuar askush në mënyrë jo të rregullt.
“Kemi kërkuar nga Ministria se normal është shqetësim edhe i imi, mirëpo me rënien e numrit të nxënësve, bie edhe shkurtimi i vendeve të punës. E dimë që në zonat malore po bie numri i madh i nxënësve e kjo po rezulton me këto probleme që po ballafaqohemi tani. Por, nuk është ajo se kemi pasur mbi punësim, Do të kërkojmë edhe nga Ministria e Financave dhe të gjithëve mësimdhënësve të i ruhet vendi i punës, dhe të zgjidhet kjo çështje. ” ka thënë ai.
Edhe nënkryetari i Podujevës, ish-drejtor i Arsimit, Nexhmi Rudari, tha se gjithmonë kanë qenë në ‘luftë’ me Ministrinë e Financimit.
“Më këtë problem në do të ballafaqohemi edhe vitet në vijim, dhe sa kam qenë drejtor ne jemi detyruar të mbyllim paralele pasi që në to ka qenë vetëm një nxënës, e nxënësi i klasës së gjashtë dikun ka rreth 13 arsimtarë, e disa prej tyre i kemi mbyllur fatkeqësisht e buxheti i Ministrisë ndahet për numër të nxënësve.”
“Ne në disa shkolla siç është Murgulla, Silevica, Braina e Berveniku kanë një numër barabartë të nxënësve dhe mësimdhënësve, e këto shkolla t’i mbyllim nuk është çështje politike, e ata nxënës me i sjellë në shkollë të Orllanit, normal që ata mësimdhënës mbesin pa punë, këtu është dilema. Por besoj që Ministria t’i ndërroj këto norma, të mos jetë për kokë të nxënësit”, ka thënë ai./Llapi.info