Fahri Jusufi, nga Reka e Mitrovicës, i cili u arrestua të dielën e kaluar nga policia serbe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, në Rudnicë, është liruar të premten (dje), pasi autoritet serbe nuk kishin dëshmi se ai kishte kryer ndonjë vepër.  

Jusufi ka rrëfyer për Telegrafin momentin e arrestimit, qëndrimin e tij në Rashkë dhe dërgimin e tij në burgun e Kralevës si dhe trajtimin atje deri në ditën e lirimit.

Ai tha se në vitin 1998-99 ka qenë si pjesëtar i UCK-së dhe nga ajo kohë nuk ka guxuar të shkojë në Serbi.

“Kam qenë si pjesëtar i UÇK-së. Një xhip ushtarak, bashkë me heroin Adem Trepça, e kemi dorëzuar në UÇK.  Prej atëherë kemi bërë edhe disa veprime tjera për UÇK-në. Prej atëherë nuk kam guxuar të shkoj në Serbi. Kushëriri, me të cilin u nisëm, më tha se pjesëtarët e UCK-së nuk po i ngucin më. Sikur i kanë amnistuar, kështu që unë vendosa të shkoj”, nis rrëfimin Jusufi.

“Arritëm me kamion deri në kufi. E futën letërnjoftimin në kompjuter, pash në retrovizor tre policë duke ardhur në drejtimin tim. E dita mirë se do të më arrestojnë, sepse kisha veprën për të cilën më kishin kërkuar më 1999 në burgun e Smrekonicës. Pastaj më thanë: ‘zotëri je i arrestuar’. I pyeta për arsyen, më thanë, do ta kuptosh. Tre policë më dërguan në sportelin e tyre më thanë se kërkohem nga shteti i Serbisë. M’i vunë prangat. Pesë orë më kanë mbajtur lidhur”.

“Më kanë dërguar në Rashkë, aty më kanë pyetur se ku kam qenë  në vitet 1998-1999. Pastaj më thanë se e paskam një dosje tjetër edhe më të rëndë. Më pyetën se kënd e kam vrarë në vitin 2012 në Kralevë. Ju thash se në Kralevë, 24 vite nuk kam qenë fare. Kam kaluar vetëm kur e kam pasur dikë të sëmurë në Beograd, por kurrë nuk kam ndaluar në Kralevë. Rreth orës 24:00 kam mbërri në Kralevë.  Më çuan drejt në burg. Mi bënë të gjitha kontrollet, pastaj më dërguan në një çeli, që ishte e tmerrshme”, shpjegoi momentin e arrestimit Jusufi.

Ai tha se nuk ka pasur maltretime, veçse është frikësuar se çfarë do të ndodh me të pasi po akuzohej për diçka që se kishte bërë.

“Maltretime tjera nuk kam pasur. Por frikohesha se çka do të ndodhë me mua sepse po akuzohesha për diçka që s’e kisha bërë. Frikohesha se do të më ngjisin diçka që nuk kisha bërë. Tërë natën më kanë mbajtur aty. Pastaj të nesërmen më kanë dërguar në dhomën ku ishin edhe pesë të burgosur tjerë,  të cilët ishin të dënuar për vepra të rënda prej shatë deri në 18 vjet burg. I luta që të kontaktoj me familjen, por më thanë ‘jo’, sepse autoritetet e Serbisë kanë obligim t’i lajmërojnë autoritetet e Kosovës për vendndodhjen time.  Nuk më lejuan. Kështu që për tre ditë, deri të mërkurën unë nuk kam ditë asgjë nëse familja din gjë për mua”, tregoi ai për Telegrafin.

Jusufi po ashtu tha se e vetmja vizitë në burgun e Kralevës për këto pesë ditë ishte vizita e avokatit të tij, i angazhuar nga familja.

Ai tha se avokati ia kishte bërë me dije se nuk ka asnjë vepër për të cilën shteti serb do ta akuzonte, mirëpo siç i kishte thënë avokati, ndaj tij po mundoheshin të montonin një vepër të rëndë.

“Pas tre ditësh familja kishte angazhuar një avokat iI cili ka ardhur tek unë dhe më ka treguar se është avokat im. Ai më tha se ka lexuar dosjen time dhe se nuk kisha vepër nga viti 2012. Më tha se janë duke më montuar një vepër të rëndë”, tha ndër të tjera ai.

Jusufi gjatë qëndrimit në burg, i kishte mbajtur shpresat se do ta vizitojë ndonjë përfaqësues nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, për ta informuar se pse e kishin arrestuar, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur për pesë ditë qëndrimi në Kralevë.


Vendimi i Gjykatës së Kralevës për lirimin e Fahri Jusufit nga paraburgimi

“Të premten kam pritur vizitë familjare, derisa ka ardhur një polic dhe më ka thënë se prej sot jam i lirë. Kam pritur që të paktën do të më vizitoj dikush nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, që ta kuptoj së paku problemin tim ngase unë jam qytetar i Republikës së Kosovës, dhe padrejtësisht më kanë mbajtur. Vepër në Serbi kurrë nuk kam pasur. Kam pas një vepër para 30 viteve, e cila është parashkruar. Prej momentit të burgosjes nuk kam parë gjykatës, as nuk më kanë dhënë shpjegim pse jam i arrestuar vetëm kur kam hyrë në burg më kanë dhënë një letër sipas së cilës unë jam i kërkuar nga shteti i Serbisë”, u shpreh Jusufi.

Jusufi tregoi po ashtu se pas lirimit ka shkuar tek zyra e avokatit të tij, ku edhe e ka takuar zyrtarin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Xhelal Shaqirin.

“Në momentin kur kam dal nga burgu kam shkuar tek avokati im që të përshëndetem. Aty e kam takuar Xhelal Shaqirin, zyrtar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili më uroi dhe më tregoi se sot ka pasur të më takojë”, theksoi ai.

Jusufi për Telegrafin tha se është i indinjuar nga disa informacione të pavërteta, që kishin qarkulluar nëpër media të Kosovës, sa kishte qëndruar në burgun e Kralevës.

“Më 1989 kam pasur një konflikt me një shqiptar, për çka mediat kanë përmendur se ka pasur plagosje. Këtë të gjithë e dinë, se nuk ka pasur plagosje”, shpjegoi ai.