Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, në seancën e mbajtur në Kuvend ka thënë se janë rritur këtë vit subvencionet në të gjithë sektorët e bujqësisë në Podujevë, njofton Llapi.info

“Sektori i bujqësisë është sektor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit tonë. Në buxhetin për 3 vitet e ardhshme veç ka një rritje. Për herë të parë në Komunën e Podujevës në bujqësi ka vendosur në prioritet dy projekte në investime kapitale. Që janë projekti për ujitjen e tokave dhe projekti tjetër që parasheh analizat e tokës. Duke parë rëndësinë e resurseve që ka Komuna e Podujevës, kemi parë edhe projektin shumë të rëndësishëm për ujitjen e tokave.” ka thënë ai.

Ai tutje shtoi se Komuna e Podujevës përveç mjedrës, ka edhe shumë kultura të tjera bujqësore, duke i bërë me dije këshilltarit të PDK-së se komuna nuk i rrit subvencionet, por Ministria.

“Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, e potencoi që është dashur të bëhet orientimi i tokës vitin e kaluar, mirëpo a ka qenë ky drejtori i bujqësisë deri dje, unë mendoj që ky deri para 4-5 muajve ka qenë pjesë e drejtorisë së bujqësisë, dhe e dinë mirë që komuna nuk është ajo që ngrit subvencione.” ka thënë ai.

Ai shtoi se këtë vit, për dallim nga vitet tjera janë rritur subvencionet në të gjitha projektet dhe sektorët e bujqësisë në Podujevë.

“Në këtë formë bujqësinë në Podujevë do mundohemi ta bëjmë bujqësi moderne evropiane, që të do të na kanë lakmi edhe komuna tjera të Kosovës, siç është kultura e mjedrës. Pak më parë kemi nënshkruar me USAID-in dhe tri kompani të tjera për të filluar me një kulturë të re e cila është dredhëza industriale, dhe me bimë mjekuese aromatike” ka thënë ai.

Në lidhje më këtë reagoi Rafet Llapashtica ku në një replikë i tha Januzit që serrat e dhëna nga ai si subvencione, sipas tij janë mbjellur me kanabis. /Llapi.info