Një zjarr ka përfshirë sot rreth një hektar pyje të fshatit Dobërdol të Podujevës, për shkak të pakujdesisë së faktorit njeri. Lajmin për portalin “Llapi.info” e ka bërë të ditur zyrtari për informim në komunën e Podujevës, Bujar Gimolli.

Sipas Shefit të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në komunën e Podujevës, Milaim Ajvazi, deri te zjarri ka ardhur për shkak të pakujdesisë së faktorit njeri.

Zjarri është shuar pas angazhimit të ekipit të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në komunën e Podujevë së bashku me banorët e fshatit Dobërdol.

Për ta parë nga afër gjendjen dhe dëmet e shkaktuara nga zjarri, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.

Ndërsa duke iu referuar situatës së krijuar zv. ministri Januzi tha se në koordinim me komunën e Podujevës do të ndërmerren masa për parandalimin e zjarreve, gjatë gjithë sezonit veror./Llapi.info