Numri i madh i zonave ekonomike dhe parqeve biznisore, vendosja e tyre në vendet prej nga vijnë ministrat e koalicionit qeverisës dhe mungesa e studimit të fizibiltetit të tyre, nga njohës të çështjeve ekonomike po konsiderohen si problemet kryesore të mosfunksionimit të këtyre zonave.

Berat Rukiqi, këshilltar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë për Telegrafin se mungesa e një studimi të fizibilitetit po ngec mosfunksionimin e tyre.

“Këto zona janë krijuar pa pasur një studim të qartë të fizibilitetit. Mos pasja e një plani të qartë po sjell deri të mosfunskionimi i plotë i tyre”, ka thënë për Telegrafin, Rukiqi.

Ai thotë se vendimet për këto zona janë të ngutshme.

“Para se të vihet deri te funksionimi i një zone të tillë, së pari duhet të merret parasysh që të konsultohet e mos të merren vendime të ngutshme”, thotë ai.

Edhe drjetori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se zonat ekonomike janë vendime politike.

“Ministrat të cilët vijnë nga ato zona marrin vendime politike prej aty ku vjen pjesa ma e madhe e votuesëve të tyre”, ka thënë Zeka.

Ai thotë se mungon debati para se të themelohen zonat.