Banorët e fshatit Sfeçël kanë rënë në hall pasi që nuk po e gjejnë të hapur ambulanten për vizita mjekësore, njofton Llapi.info

Kështu ka thënë Hetem Ajeti përfaqësues i këtij fshati, në debatin publik me qytetarët të thirrur nga kryetari Agim Veliu.

Ajeti shtoi se vet ai është detyruar të udhëtoj për në Spitalin e Podujevës, vetëm për një infuzion.

“Ambulanta në Sfeçël, ajo ma shumë nuk punon se që punon. Pastaj, ne po kemi probleme se po duhet me ardh për një infuzion në Spital në Podujevë, kur po vijmë në Podujevë, mjekët na thonë pse po vini tek ne kur ju e keni ambulanten në fshat. Mandej po kemi probleme edhe këtu, unë ju kisha lut që merrni masa dhe ta rregulloni çështjen për këtë ambulantë. Nuk respektohet orari atu, herë është një infermiere ajo ndërrohet vjen tjetra. Mu më është dashur të vije në Podujevë, kur erdha këtu ma tërhiqen vërejtjen, e u duft me i tregu që nuk ka punuar ambulanta në fshat”, ka thënë ai.

Më tej ai theksoi se medoemos duhet t’i bëhet zgjidhje kësaj çështje, sepse sipas tij shpeshherë nuk punohet.

“Ajo nuk është që ka ndodhur një herë, por vazhdimisht nuk punon ambulantja, edhe kur punon nuk është në funksion tërë ditën, e kush e ka fajin a e ka Drejtoria e Shëndetësisë apo dikush tjetër nuk e di, mirëpo ju them juve të merrni masa sa ma shpejt, që mos të na duhet me ardh për një injeksion e infuzion në Podujevë” ka potencuar Ajeti.

Ajeti tutje shtoi se gjatë këtyre viteve është punuar në këtë fshat, por ende ballafaqohen me probleme primare, si ajo e shëndetësisë./Llapi.info