Aspiratat shqiptare janë mjaft të qarta për ne, por edhe ata duhet ta kenë të qartë se nuk mund të bëjnë asgjë pa pasur bisedime me Serbinë, përveç se t’i “shesin mjegull” popullit të tyre.

Kështu ka thënë drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, sipas të cilit, në Serbi nuk është aspak befasi kur dikush nga Prishtina nuk pajtohet me marrëveshjet e Brukselit.

Gjuriq ka theksuar se është e rëndësishme që të gjendet një lloj marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës për shkak të së ardhmes së të gjithë atyre që jetojnë në këtë rajon.

Por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë për të dyja palët, duke pasur parasysh deklaratat që janë mjaft jorealiste, shkruajnë mediat serbe, transmeton Indeksonline.

“Interesi ynë është se pavarësisht nga retorika ne do të shkojmë përmes bisedimeve që të gjejmë një zgjidhje. Gjithashtu edhe bashkësia ndërkombëtare po lufton me ne, por përsëri kjo është një detyrë shumë e vështirë. Prishtina po beson që tani është koha më e përshtatshme që të ketë politikanë në pushtet si Sasha Jankoviq, i cili ofron dy karrige në OKB. Jankoviq, Jeremiq dhe Gjilas do të përshtaten, sepse dihet e kaluara e tyre. Ky është ideali i tyre, e jo të kontribuojnë në mirëqenien e Serbisë”, tha tutje Gjuriq.