Edhe 20 pjesëtarë të tjerë serbë të FSK-së janë larguar nga ky institucion, kjo sipas raportimeve të Tv Most.

Ky zhvillim vjen pas largimit të tetë pjesëtarëve serbë tre ditë më parë, të cilët ofruan dorëheqjet e tyre në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Drejtori i Informimin në MFSK-së, Ibrahim Shala, lidhur me këtë për Klan Kosova ka thënë se deri më tani kanë pranuar kërkesat për largim vetëm nga tetë pjesëtarët e lartpërmendur, megjithatë sipas tij ky numër mund të pësojë rritje.

Në lidhje me përgjigjen e MFSK-së për dorëheqjet e ofruara, Shala ka bërë të ditur se janë duke u shqyrtuar.

“Hyrja edhe dalja në FSK është vullnetare, është proces kontraktual në mes të dy palëve. Paraqitjet për kërkesë do të shqyrtohen në bazë të rregulloreve të FSK-së në fuqi dhe këto rregullore parashohin përgjigje në afat deri në gjashtë muaj”.

Rasti i dorëheqjes së tetë pjesëtarëve serbë të FSK-së mblodhi Këshillin e Sigurisë, ku kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se “ky është presion direkt i Beogradit zyrtar”, megjithatë ai tha se kjo nuk cenoi sigurinë e vendit.