Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se është i gatshëm që të kthehet në krye të LDK-së.

“Unë e kam dhënë përgjigjen time rreth kësaj pyetjeje që e shtroni ju, se është shtruar në forma të ndryshme. Gjithmonë kam qenë, jam, dhe do të jem i gatshëm që nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe njerëzit e saj mendojnë se mund të jem në përgjegjësi të veçuara, në këtë rast edhe në udhëheqjen e partisë, jam i gatshëm, absolutisht po”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për Radio Europa e Lirë.

“Nuk jam njeri që insistoj domosdo, absolutisht, por insistoj që LDK-ja të bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Në këtë rast, unë jam një nga njerëzit që kujtoj se e kam energjinë, e kam bagazhin tim, thjesht edhe politik, edhe përvojën jashtëzakonisht të bollshme, por ajo gjithmonë mund të begatohet edhe plus që të jap kontributin tim në çdo situatë”, ka pohuar Sejdiu.