Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se nuk ka ushtri të Kosovës dhe nuk do të ketë dhe ka shtuar se kjo nuk mund të bëhet as në bazë të Rezolutës 1244, por edhe nën siç ka thënë ai “ligjet e ashtuquajtura të Kosovës”.

“Nuk ka ushtri të Kosovës, nuk mund dhe nuk mund të ketë. Nuk mund të bëhet as nga Rezoluta 1244, as nga të ashtuquajturat ligje të Kosovës. Pse po qajnë për këta 30 serbë, a i duan kaq shumë? Jo, por sepse duhet t’i kanë 10 për qind të serbëve në atë ushtri të ashtuquajtur. Ata janë të gatshëm të japin pagat edhe nëse nuk vijnë për të punuar, vetëm të nënshkruajnë në letër… Kjo u pëlqen më shumë serbëve”, tha ai për TV Pink, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, largimi i serbëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës është një reagim i natyrshëm.

“Largimi i 30 serbëve nga strukturat e sigurisë në Kosovë dhe Metohi është një reagim i natyrshëm, por ky nuk është një justifikim për ata që të shërbejnë dhe të bëjnë luftë me serbët. Serbët në Kosovë dhe Metohi e duan vendin e tyre, e duan popullin e tyre dhe ata nuk duhet të marrin pjesë në çdo ushtri të rreme”, tha Vulin.

Rreth 30 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb kanë paraqitur në mënyrë kolektive kërkesat për ta braktisur FSK-në.

Lidhur me kërkesën e pjesëtarëve serbë të FSK-së që të lirohen nga këto forca, kishte reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie.

Nëpërmjet rrjetit social, Twitter, Delawie kishte shprehur shqetësimin e tij të thellë për “dorëheqjet e fundit të pjesëtarëve serbë të FSK-së”.

“Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të FSK-së është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të kremtohet, e jo të shkatërrohet”, kishte shkruar ai në Twitter.

Mirëpo, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte ftuar të gjithë serbët në Kosovë, që në asnjë mënyrë të mos marrin pjesë në formimin e një Ushtrie të Kosovës, e cila, sipas tij “do të shërbejë ekskluzivisht për të nxitur konflikte”.

Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë. FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të së cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës. FSK-ja numëron më shumë se 2,000 pjesëtarë, prej të cilëve 200 u përkasin komuniteteve pakicë, kurse 100 janë nga komuniteti serb. /Telegrafi/