Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se pjesëmarrja e tij në ceremoninë inaugurimit të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan është konfirmim i marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
Thaçi, i cili u gjend në Turqi për ceremoninë e inaugurimit të presidentit Erdoğan, vlerësoi për Anadolu Agency marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështjet rajonale.
“Vullneti i popullit të Turqisë është shprehur në mënyrë demokratike. Turqia ka zgjedhur rrugën e vet përmes vullnetit të qytetarëve për të ardhmen e tyre. Rrugën e vetëmenduar të drejtë, të zhvillimit dhe progresit. Prandaj, pjesëmarrja jonë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Erdoğan ka qenë konfirmim i relacioneve tona strategjike mes Kosovës dhe Turqisë”, tha Thaçi në lidhje me zgjedhjet e 24 qershorit të mbajtura në Turqi.
Ai shprehu mirënjohje për faktin që Turqia është një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. “Po pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë të mirë, një bashkupënim ky që do të jetë në të gjitha sferat e jetës institucionale. Turqia ka mbështetur Kosovën edhe më herët. Pres edhe në të ardhmen ta mbështesë fuqishëm, në veçanti në njohjet e reja dhe integrimet në organizatat ndërkombëtare”, është shprehur Thaçi.
– “Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me Turqinë në të gjitha sferat”
Në pyetjen se a do të vazhdojë mbështetja e Kosovës ndaj Turqisë pas operacionit të kundrejt anëtarëve të organizatës terroriste FETO në Kosovë nga ana e Agjecisë Turke të Intelegjencës (MIT), presidenti Thaçi tha: “Nuk kam çka t’i shtoj më tepër asaj që kam deklaruar edhe më herët. Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin në të gjitha sferat e jetës institucionale, të sigurisë, të mbrojtjes, ekonomisë edhe në rrafshin diplomatik, por para së gjithash perspektivës atlantike”.
Thaçi më tutje tha se ka hapësirë për të bërë më tepër në marrëdhëniet bilaterale ekonomike, duke shtuar se në kuadër të vizitës së tij në Turqi ka ftuar investitorët në Kosovë.
Në lidhje me lajmet në mediat e Kosovës që shënjestrojnë investimet e Turqisë dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), presidenti i Kosovës Thaçi u shpreh:
“Opinionet e lira të njerëzve unë i vlerësoj dhe në të njëjtën kohë kushtojmë rëndësi që të zhvillohet debati për çështje të caktuara. Andaj, në Kosovë zhvillohet debat për të gjtha çështjet që mendoj se janë me interes të zhvillohen. Tash mundësia e rrjeteve sociale, portaleve, mediumeve të tjera është e jashtëzakonshme, e hapjes së mundësive për shprehjen e opinioneve të njerëzve të ndryshëm, me ose pa kompetencë. Por relacioni Kosovë-Turqi qëndron mbi opinionet ditore të këtij apo atij mediumi. Por duhet të mësohemi me këtë ambient, edhe unë jam një nga ata që akuzohem nga mediat, sulmohem nga mediat. Për këtë e ka demokracia”.
– “Kosova do të marrë lajme të mira për liberalizimin e vizave në ditët e ardhshme”
Takimi fillestar mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë ka ndodhur në Bruksel dhe ka qenë një takim konstruktiv, tha Thaçi, duke njoftuar se në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Erdoğan kanë pasur mundësi të përshëndeten dhe të diskutojnë sado pak.
“Shpresoj që në të ardhmen e afërt do të ndodhë takimi tjetër dhe unë jam i vendosur që me të vërtetë të ndërtojmë paqe përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, në interesin e Kosovës, Serbisë, Bashkimit Evropian, por edhe vetë investimeve për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Unë shpresoj se me rolin udhëheqës të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e plotë të SHBA-ve, por edhe partnerëve të tjerë, kjo marrëveshje e paqes Kosovë-Serbi do të mund të arrihet në të ardhmen e afërt”, tha Thaçi.
Ai tha se gjatë qëndrimit të tij në Ankara ka biseduar me kryeministrin e Rusisë, Dmitri Medvedev. “Diskutuam për mundësinë e vënies së komunikimit fillestar mes dy shteteve tona, Kosovës dhe Rusisë. Gjithashtu informova edhe për takimin që kemi zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë. Për realizimin e atyre objektivave që i kemi në këtë proces për paqen, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Është shumë me rëndësi që marrëveshjen eventuale të paqes dhe të pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë ta akseptojë edhe Rusia”, tha Thaçi.
Në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, Thaçi tha se mes Kosovës dhe Shqipërisë ekzistojnë raporte të shkëlqyera në të gjitha rrafshet institucionale dhe shoqërore, me implementim që vazhdon edhe në terren.
“Shpresoj se në ditët e ardhshme do të kemi lajme pozitive, lajme shumë të mira nga Bashkimi Evropian sa i përket liberalizimit të vizave dhe pastaj do të hapet mundësia që edhe institucionet e tjera, Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, të konfirmojnë këtë të arritur të Kosovës. Kosova ka implementuar në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.