Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është momenti që liderët politikë të vendit të marrin përgjegjësitë e tyre në dialogun me Serbinë, ndërsa shfaqi drojën se nëse nuk ndodh tani njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, kjo çështje do të zvarritet.

Ai këto komente i bëri gjatë mbikëqyrjes së korrje-shirjeve në fshatin Prelez të Jerlive në komunën e Ferizajt.

Kreu i vendit tha se është e rëndësishme që spektri politik në vend ka qëndrim të përbashkët se dialogu me Serbinë duhet të fillojë dhe se duhet të punohet seriozisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Një gjë është e qartë se askush nuk do të mund të udhëheqë vetëm procesin negociator, por është edhe më së e qartë dhe vendimtare të kuptohet se edhe askush nuk do të mund të vë veto apo të bllokojë këtë proces për të ecur përpara. Është momenti që të gjithë liderët politikë që janë të interesuar për të kontribuuar për konsolidimin e vendit të marrin përgjegjësit në këtë proces të rëndësishëm, por në të njëjtën kohë pastaj të ndajnë kreditë e të arriturave”, u shpreh ai.

Thaçi u shpreh se synim i tij për këtë dialog është arritja e marrëveshjes përfundimtare dhe njohjen reciproke në mes dy shteteve.

“Synim ne kemi arritjen e marrëveshjes përfundimtare, jam i vendosur që të punoj për marrëveshje definitive të paqes, pajtimit dhe pastaj të ndodh njohja reciproke në mes shteti të Kosovës dhe Serbisë, kjo do të jenë një e arritur historike për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj që të ndodhë kjo mrekulli njohja e Kosovës nga Serbia duhet të kontribuojmë të gjithë”, tha presidenti Thaçi.

Ai shfaqi drojën se nëse nuk ndodh tani njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, kjo çështje do të zvarritet tutje.

“Frikësohem se nëse nuk arrijmë tash marrëveshjen përfundimtare historike të normalizimit të pajtimit dhe njohjes reciproke do të humbasim edhe vite apo dekada të tëra, dhe njerëzit nuk kanë kohë për të pritur mbi makinacionet apo politikat populliste apo të karakterit ditor elektoral. Prandaj mesazhi im është dhe unë besoj dhe shpresoj që do të jemi bashkërisht, shpresoj dhe besoj në vullnetin e liderëve politik të Kosovës, pozitës dhe opozitës”, tha ai.