Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshita, ka pritur përfaqësuesit e Bankës Botërore, Anna Wellenstein, drejtoreshë për Praktikat Globale për çështje sociale, urbane dhe rurale, Jorge Munoz, menaxher për Praktikat Globale për çështje sociale, urbane dhe rurale si dhe Marco Mantovanelli, drejtor i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë.

Në këtë takim, është diskutuar për realizimin dhe përfundimin e projektit për “Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër”, projekt ky i cili është mbështetur nga Banka Botërore nga një Kredi prej 6.74 milion dollar dhe Granti në vlerë prej 5.51 milion dollar.

Ministrja Reshitaj kërkoi që projekti për “Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër” që ka të bëjë me rikonstruktimin e të dhënave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të zgjerohet në të gjitha komunat e Kosovës duke përfshirë edhe ato veriore.

Pas takimit, ministrja Reshitaj dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore janë takuar me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ku së bashku kanë vizituar objektin e Kadastrës së kësaj komune, për të parë nga afër implementimin e projektit “Regjistrimi i Pronës së Paluajtshme në Kadastër”.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Reshitaj tha se Komuna e Shtimes duhet të ndihet krenar për implementimi e këtij projekti , ndërsa tha se e rëndësishme është që të shtyhet përpara edhe regjistrimi i pronave në emër të grave.

“Mendoj që do të duhej të ndiheni krenar për këtë projekt dhe mendoj që është motiv për ju si komunë që të filloni me projekte të tjera dhe t’i realizoni ato, që të bëheni shembull për gjithë vendin”, tha Reshitaj.

Reshitaj falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetje në realizimin e këtij projekti.

Ndërsa Anna Wellenstein, drejtoreshë për Praktikat Globale për çështje sociale, urbane dhe rurale, falënderoi ministren Reshitaj për kontributin e saj të dhënë në projektin për “Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme në Kadastër”.

“Në emër të Bankës Botërore ju falënderojmë dhe ju shprehim mirënjohje për qeverinë qendrore që na ka mundësuar të punojmë me komunën tuaj, që është si shembull. Pres të mësoj më shumë nga ju dhe qeveria, për atë se çfarë ka bërë komuna e juaj për të drejtën e grave mbi tokë që po përpiqemi ta shtyjmë përpara në nivel global”, tha drejtoresha Wellenstein.

E kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli falënderoi Bankën Botërore dhe Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ndërsa tha se njëri ndër projekte e komunës për shfrytëzimin e të drejtave pronësore nga gratë ka sjellë 100 gra si pronare dhe bashkëpronare në Komunën e Shtimes.

Ky projekt ka përmbajtur tri komponentë, administrimin e tokave komunale, dizajnimin dhe ri-inzhinjerimin e zyrave kadastrale komunale dhe regjistrimin sistematik.