Ish-gjykatësja e Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, Safete Tolaj, është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish-gjykatësja Tolaj, në aktgjykimin e shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Neziri, është shpallur e pafajshme për të gjitha pikat e aktakuzës, me të cilat ngarkohej.

Kurse, djali i saj, Fisnik Tolaj, është dënuar me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim, pasi është shpallur fajtor për dy vepra penale “ushtrim i ndikimit” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ai është dënuar me tre vjet burgim, kurse për falsifikim të dokumenteve është dënuar me dy vjet burgim, por ndaj tij, më pas është shqiptuar dënimi unik prej katër vjet e gjysmë burgim.

Fisnik Tolajt, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 13 janari 2017 deri më 07 korrik të atij viti.

I pafajshëm është shpallur edhe zyrtari policor, Granit Shehaj, i cili ngarkohej me veprën penale për ndihmë në ushtrimin e ndikimit.

Ky rast është i shënjestruar për liberalizimin e vizave, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 11 korrik, ku edhe pritej të jepej fjala përfundimtare në këtë rast, prokurori Rasim Maloku, kishte sjell para gjykatës një kopje të ndryshuar dhe të plotësuar të aktakuzës.

Prokurori Maloku, në atë seancë kishte thënë se ka vlerësuar që ka ndryshim të gjendjes faktike dhe për këtë ka bërë një ndryshim dhe zgjerim të aktakuzës.

“Bazuar në nenin 350 dhe 351 paragrafi 1 të KPP-së pas një vlerësimi të gjithanshëm të të gjitha provave kam konsideruar se është e nevojshme që të bëhet ndryshimi dhe zgjerimi i akuzës në këtë fazë të procedurës e që të përgatitur në formë të shkruar nga një kopje po iu dorëzoj palëve në procedurë dhe trupit gjykues”, kishte thënë prokurori Maloku.

Në aktakuzën e ndryshuar thuhej se tërhiqet nga ndjekja penale kundër të pandehurit Fisnik Tolaj, vetëm për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve”, nga neni 374 par. 1 të KPK-së e përshkruar në pikën pesë të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas tij, në shqyrtimin gjyqësor nuk është provuar se i pandehuri ka kryer atë vepër penale.

Tutje, aktakuza e ndryshuar thotë që kundër ish-gjykatëses Safete Tolaj, tërhiqet pika tre e dispozitivit ku ajo akuzohej për falsifikim i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par.1 të KPK-së, me arsyetimin e njëjtë se sipas prokurorit Maloku, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer atë vepër penale.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, tani Fisnik Tolaj, lidhur me dispozitivin e parë, që ka të bëjë me rastin e Agron Kelmendit dhe Agron Ahmetgjekaj, në çështjen civilo-juridike Cnr.74/12, ku sipas akuzës ai me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt pasuror për vete kishte kërkuar nga Agron e Berat Kelmendi shumën prej 20, 000 euro me qëllim që të ushtronte ndikim mbi vendimmarrjen e gjyqtares Safete Tolaj, e më pastaj ishin pajtuar që të shkëmbenin një truall në sipërfaqe prej 3.70 m2 në emër të Agron Ahmetgjekaj dhe shumën prej 2000 euro, ndryshe nga aktakuza e parë ku për këtë akuzohej për kryerjen e veprës penale “mashtrim”, nga neni 355 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, tani cilësohet si vepër penale “ushtrim i ndikimit”, nga neni 431 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, është tërhequr pika ku ai akuzohej për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve” nga neni 374 par. 1 të KPK-së. Kurse, pikat e akuzës lidhur me kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, nga neni 398 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së mbeten të njëjta.

Lidhur me pikat e akuzës ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj, ku ajo akuzohej për tre vepra penale, si “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së, “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor”, nga neni 416 të KPK-së si dhe për “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPK-së, e përshkruar në pikën tre të dispozitivit të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer këtë vepër penale.

Kurse, për të akuzuarin e tretë, zyrtarin Granit Shehaj, vepra u ri cilësua dhe ai nuk do të ngarkohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, por si kryerje e veprës penale “ushtrim i ndikimit në ndihmë”, nga neni 431 par. 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Safete Tolaj, po akuzohej se në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, ka keqpërdor autoritetin e saj zyrtar.

Sipas kësaj aktakuze, pasi që e pandehura më 2 janar 2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jep shumën prej 1,900 euro të pandehurit Fisnik, për të ndikuar tek e pandehura, e cila më pas më 10 janar 2017, masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.

Tutje, në këtë aktakuzë thuhej se e pandehura Safete Tolaj, deri më 13 janar 2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, e pandehura deri më 13 janar 2017, në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj, përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që ky i fundit duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.