D. G. nga Podujeva është personi që me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës është dërguar në mbajtje për falsifikim të statusit të veteranëve të UÇK-së.

Sipas Prokurorisë në Prishtinë, personi në fjalë që nga muaji tetor i vitit 2015 e deri në mars të këtij viti ka falsifikuar vendimet e invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë i dyshuari si agjent i njërës prej kompanive të sigurimeve “ka falsifikuar vendimet e invalidëve të UÇK-së, dhe ka vënë në lajthim personat e autorizuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë e paraparë të shërbej si provë për regjistrimin e automjetit”.

G.personave të autorizuar të kësaj qendre ia ka prezantuar vendimin kinse personat kanë qenë invalid të Luftës së UÇK-së, edhe pse këta nuk e kanë pasur këtë status.

“Me këto veprime i pandehuri D.G. ka kryer veprën penale ‘legalizimi i përmbajtjes së rreme’ nga neni 403 paragrafi 1 të KPK-së. Prokurori i rastit ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.G. pasi që ekziston mundësia e rrezikut të ikjes, si dhe, rreziku i ndikimit tek të dëmtuarat dhe dëshmitarët”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.