Qeveria e Kosovës për herë të parë ka përgatitur raport mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit. Javën e kaluar Qeveria e ka dërguar atë në Kuvend.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se raporti informues u ka shkuar deputetëve të premten e kaluar, ditën kur ai u shqyrtua në Qeveri.

Sipas Gashit, në raport janë përfshirë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, ato që janë zbatuar deri më tani dhe ato që kanë ngecur së zbatuari.

Por, Qeveria nuk e di kur raporti do të procedohet në Kryesisë e Kuvendit.

“Bëhet fjalë për një raport informues mbi marrëveshjet e Brukselit dhe situatën aktuale të negociatave teknike me Serbinë në Bruksel. Të gjitha detajet janë në raport, specifikohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur dhe cilat nuk po zbatohen, në çfarë faze janë zbatuar, sa janë zbatuar”, ka thënë Gashi.

“Është një material përmbledhës i të gjithë asaj që ka ndodhur në dialogun teknik nga takimet që ka realizuar kryenegociatori i dialogut teknik, Avni Arifi, me ekipin e tij dhe në të cilën përfshihen të gjitha marrëveshjet për të cilat është duke u biseduar me Serbinë në Bruksel”, ka shtuar ajo.

Kryeministri Ramush Haradinaj pati vlerësuar se përgatitja për herë të parë e këtij raporti është një e arritur e mirë.

Në raportin prej 36 faqesh është i përfshirë zbatimi Marrëveshjes së parë, e nënshkruar në Prill të vitit 2013 dhe Maj 2015, ku bëjnë pjesë marrëveshjet për energjinë dhe Telekomin.

Në raport bën pjesë edhe puna për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut teknik.