Një e ve nga Orlando ka humbur të gjitha kursimet e jetës së saj, pasi u mashtrua nga një person i cili përdorte fotografinë e Flamur Gashit, vëllait të deputetit të LDK-së, Arben Gashit.

Siç shkruan Daily Mail, Diane Standish nga ky mashtrim humbi plot 270 mijë dollarë.

Ajo thotë se ajo ra në dashuri me njeriun që e njihte si Darnell ‘Jerry’ Michael pasi u takuan në platformën online www.match.com.

Por, fytyra me të cilën ajo ra në dashuri ishte e Flamur Gashit, ish-ambasador i Shqipërisë në Bosnje e Hercegovinë, i cili është i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Kosovë, shkruan Daily Mail.

Standish tha se nuk kishte rezerva kur Michael filloi ta pyeste për paratë, pak pasi filluan të flisnin, transmeton Gazeta Fokus.

“Unë kurrë nuk mendova se dikush mund të bjerë në dashuri me dikë në telefon”, thotë ajo.

“Por për disa arsye, ai thoshte vetëm gjërat e duhura për mua”.

“Unë kam biseduar me miliona njerëz të cilët thanë se u takuam në eHarmony dhe në www.match.com dhe ata janë të lumtur të martuar, kështu që unë nuk kam ndonjë arsye për ta vënë këtë gjë në dyshim”, tha ajo.

Standish tha se i dërgoi paratë Michaelit, sepse ai i tha asaj se do të shkonte në Orlando dhe të martohej me të.

Standish mendonte se po fliste me një CEO të divorcuar gjerman, i cili punonte në një projekt ndërtimi në Kaliforni.

Ajo depozitoi qindra mijëra dolarë në llogaritë e këtij njeriu, që pastaj u zhduk.

Michael e thirri atë nga katër numra të ndryshëm, të gjitha me një kod të zonës së Kalifornisë, 661.

Njeriu që e përdorte figurën e Gashit në Facebook identifikoi veten si Darnell ‘Jerry’ Michael.

Por, edhe përkundër kësaj që po ndodhte, Gashi nuk ishte në dijeni se fotografia e tij po përdorej në një skemë të tillë.