Të gjitha pemët dhe perimet që hyjnë në Kosovë tani e tutje do të duhet të paguajnë një masë të përkohshme prej 30 për qind të vlerës doganore.
Kjo masë është caktuar të premten nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani. Vendimi do të hyjë në fuqi me datën 18 të këtij muaji.
Në vendimin të cilin e ka siguruar KosovaPress, thuhet se deri te caktimi i kësaj mase ka ardhur pas një hetimi të gjerë dhe konsultave me prodhuesit vendor, siç parashihet me Ligjin për Masa Mbrojtëse në Importe ku janë hetuar të gjithë pemët dhe perimet me origjinë nga të gjitha vendet e botës.
“Njoftimi erdhi pas vlerësimit paraprak të gjendjes; përfshirë konsultimet me prodhuesit siç parashihet në paragrafin 1 të nenit 6 të Ligjit nr.04/l-04 për Masat Mbrojtëse në Importe. Vlerësimi ofroi bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se produktet që do të hetohen, importohen në Republikën e Kosovës në sasi aq të mëdha dhe në ato kushte të cilat kërcënojnë tu shkaktojnë dëm serioz prodhueseve të pemëve dhe perimeve në vend ose të shkaktojnë parregullsi që mund të përkeqësojnë gjendjen ekonomike të prodhuesve të pemëve dhe perimeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin.
Kjo është lista e pemëve dhe perimeve që u është caktuar masa e përkohshme:
Patatja,
Domatja,
Speci,
Trangulli,
Shalqiri,
Pjepri,
Lakra e hershme (pranverore),
Lakra e vonshme (vjeshtore),
Sallatë (të gjitha varietetet),
Spinaqi,
Qepa,
Karrota,
Fasulja monokulture,
Molla,
Dardha,
Kumbulla,
Qershia,
Dredhëza,
Mjedra,
Manaferra,
Misri