Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shpjeguar rrezikun që po i kanoset Kosovës nëpërmjet vazhdimit të dialogut siç e quan ai të gabuar e të nxituar me Serbinë.

Ai potencuar se çfarë duhet të jenë përgatitjet e domosdoshme paraprake.

“Shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017 si dhe i rezultateve të tij; Përcaktimi i synimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; Formulimi i parimeve dhe kushteve të dialogut të ri; Forimi i ekipit tonë negociator me strategji dhe udhëheqës”, ka thënë ai në mbledhjen e rregullt me qendrat e Vetëvendosjes, tarsnemton kp.

Sipas Kurtit me një Qeveri të pakicës, me plane të cilat kanë qëllim copëtimin e shtetit tonë, me zhvatje të pasurive e plaçkitje të buxhetit, të rrethuar me pseudoopozitarë, shtrirja e Lëvizjes në popull është e natyrshme.

“Përveç e natyrshme, ne duhet të tregojmë se nuk jemi si këto qeverisjet e deritanishme. Ne duhet të jemi afër me anëtarët dhe duhet ta duam popullin pa kushte. Të jemi të mirë e të drejtë me anëtarësinë e me qytetarët, më patriotë e më të dijshëm se të gjithë kundërshtarët. Të punojmë me veten pa pushim dhe të bëjmë punë më shumë se kurdo. Vetëm me punë e ndershmëri jemi në nivel të detyrave dhe të përgjegjshëm ndaj së ardhmes. Lëvizja do të qeveris gjithnjë e më shumë në muajt e vitet në vijim. Lëvizja është qeverisja e ardhshme, e ardhmërisë që e shpresojnë të gjithë, pa krim e korrupsion, me zhvillim e punësim, me solidaritet e begati”, ka thënë ai.