Qendërmbrojtësi Dardan Sekiraqa është përforcimi i radhës për KF Llapin, njofton Llapi.info
Si fëmijë ai kishte qenë pjesë e Llapit kurse më pas ai i është bashkuar Prishtinës si kadet e më pastaj edhe si junior. Por tani, 19 vjeçari ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me klubin nga Podujeva.
“Vendosa të rikthehem në vendlindjen time, në klubin ku unë e kam filluar karrierën e futbollistit, në klubin ku unë dhe e gjithë familja ime e ka në zemër, KF Llapin. Ju premtoj që do ta jap më të mirën nga vetja për klubin, kryesinë, tifozët dhe qytetin e Podujevës që më kanë përkrahur jashtëzakonisht shumë si futbollist në fillimet e karrierës. Shpresojmë që ky vit do të jetë edhe më i suksesshëm se herëve tjera dhe do ti arrijmë objektivat e klubit bashkërisht. Guri peshon më së miri në vendin e vet, na priftë e mbara djem, edhe unë jam gati”, ka deklaruar Sekiraqa pas prezantimit të tij si futbollist i Llapit.
Përveç tij, në një njoftim tjetër të klubit është bërë e ditur se edhe Dardan Jashari pas katër viteve qëndrim tek Llapi ka nënshkruar kontratë edhe për një vit me klubin./Llapi.info