Tri ditë më parë në një parking të një restauranti në Podujevë, një bashkatdhetari i cili jeton në Suedi, i është thyer vetura duke ia vjedhur çantë, në të cilën kishte gjësende në vlerë prej mbi 10 mijë eurosh.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur rreth orës 16:00, ku shqiptari me qëndrim në Suedi, parkon veturën në pakingun e një restauranti në Podujevë.

Në videon e siguruar nga Gazeta Blic, shihet se vetëm pak minuta pasi mërgimtari parkon veturën e tij, një tjetër veturë e tipit “Golf 5”, afrohet tek vendi i ngjarjes, nga e cili del një person i maskuar dhe thyen xhamin e veturës së tipit “BMW”, duke e vjedhur një çantë që gjendej brenda veturës.

Ai ka thënë se brenda çantës së vjedhur, kishte ari në vlerë prej gjashtë mijë eurosh, pasaportat

Gazeta Blic, ka kontaktuar me personin që jeton në Suedi, Feim Hasani, i cili e ka konfirmuar këtë vjedhje.

Ai ka thënë se brenda çantës së vjedhur, kishte ari në vlerë prej gjashtë mijë eurosh, pasaportat e tij, pasaporta e bashkëshortes Pajtime Hasani, dhe fëmijëve, si dhe një shumë e parave të gatshme, vlera e përgjithshme, kap shifrën e mbi 10 mijë eurosh.

Sipas tij, menjëherë është lajmëruar Policia e Kosovës, e cila është duke u marrë me rastin.

Gazeta Blic, mëson se të dyshuarit për këtë vjedhje janë emra të njohur për Policinë e Kosovës, duke e përfshirë Stacionin Policor në Podujevë.

Bëhet fjalë për disa të rinj nga komuna e Drenasit, të cilët kanë kryer vjedhje të tilla nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

Madje, siç mëson Gazeta Blic, ata ishin arrestuar para disa ditësh nga Policia e Kosovës në Podujevë, për të njëjta vepra penale, por të njëjtit ishin liruar nga Prokurori kujdestar në procedurë të rregullt.