Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e një mase prej 30% për prodhimet bujqësore që importohen në Kosovë, ka shkaktuar reagime të ashpra në disa shtete fqinje. Kritika dhe kërcënime ka pasur më së shumti nga Maqedonia, të cilët kanë paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit ndaj produkteve të Kosovës.
Së fundi është ministri i Bujqësisë në Maqedoni, Ljupço Nikollovski i cili ka kërkuar nga Kosova që ta tërheq vendimin për mbrojtjen e produkteve vendore.
“Kosova ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s dhe është vendim i paqartë juridikisht dhe formalisht”, tha Nikollovski.
Por këto akuza nga Maqedonia nuk po e shqetësojnë ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Bajram Hasani.
Hasani në një deklaratë për Lajmi.net ka bërë të ditur se ka biseduar në telefon me ministrin e Ekonomisë në Maqedoni.
Sipas ministrit Hasani vendimi i Kosovës për mbrojtjen e produkteve vendore nuk është për inat të askujt, por ka synim zhvillimin e ekonomisë në vend.
“Vetë fakti që Maqedonia ndoshta është dhjetëfishi i eksportit të saj ndaj Kosovës, sesa Kosova në drejtim të tyre tregon. Ne kemi marrë vendim me bazë ligjore që mund t’ua argumentojmë Maqedonisë dhe çdo pale tjetër që ka bazë ligjore për të marrë vendim. S’kemi marrë vendim në shenjë revolte dhe kundër asnjë shteti. Qëllimi është me i mbrojt prodhuesit tanë, me i zëvendësu prodhimet e huaja me prodhimet tona. Ne po bëjmë balanca të çmimeve tona, po i bëjmë konkuruese prodhimet tona me të tjerëve”, tha fillimisht Hasani.
Ai ka paralajmëruar që nëse Maqedonia merr ndonjë masë reciprociteti, atëherë Kosova mund ta ndalojë importin e të gjitha produkteve maqedonase në Kosovë.
“Sa i përket kërcënimeve për recirpocitet askujt nuk i konvenon nga shtetet tjera. Kosovës do t’i konvenonte që ata të marrin masa reciprociteti dhe të bëjmë edhe ne ndonjë veprim të tillë,por shteteve fqinje nuk i konvenon të merr vendim ndaj Kosovës. Unë besoj se i kam bërë me dije ministrit të Maqedonisë se çdo hap i tillë do ta keqësonte situatën në drejtim të juaj sepse ne mund të marrim jemi të detyruar të marrim vendim tjetër, për ta ndaluar importin ndaj gjithë produkjeteve që hyjnë nga Maqedonia”, theksoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë.
Hasani është i bindur se vendimi i tij është në bazë të ligjeve në fuqi, duke theksuar se importi në vazhdimësi nga shtetet tjera rrezikon prodhimet vendore.
Madje ai thotë se shumë produkte hyjnë në Kosovë me çmim më të lirë sesa që prodhohen në Kosovë.
“Është një import që po hynë edhe më lirë sesa produktet që po prodhohen në Kosovë por edhe po rritet importi çdo ditë. Dhe ligji për masat mbrojtëse e mundëson që nëse rritet importi në vazhdimësi dhe rrezikon prodhimin e vendit tonë ekonominë tonë, MTI-ja dhe ministri ka kompetencë që të merr masë mbrojtëse deri te një normalizim i tregut. Pasi vetë fakti që hyjnë me çmim më të lirë se sa që prodhohen në vend dëmton ekonominë tone”, u shpreh Hasani.
Ministri është përgjigjur edhe ndaj akuzave se ky vendim shkel marrëveshjen e CEFTA-s.
Hasani beson se nuk është bërë asgjë në kundërshtim me ligjet, madje edhe me ato të MSA-së. Madje thekson se Kosova ka marrë lëvdata për udhëheqjen e CEFTA-s, organizatë për tregtinë e lirë.
“Sa i përket marrëveshjes së CEFTA-s e kemi bërë të ditur qe dy ditë këtë se ne nuk kemi bërë agjë jemi konform ligjit, këto ligje janë edhe në MSA. Jemi shumë të pjekur dhe kemi pasur një falënderim nga BE-ja për rolin që po luan Kosova dhe pjekurinë që po tregon duke udhëhequr një organizatë ndërkombëtare. Jemi tu i dhanë raport çdo shteti që po kërkon detaje për marrjen e këtij vendimi”, u shpreh tutje ministri që vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate.
Krejt në fund, ministri Bajram Hasani ka theksuar se qeveria tash e tutje do të jetë në krahë të prodhuesve, bujqve dhe atyre që punojnë në ekonominë e shtetit.
Ai zotohet përsëri që nuk do të heq dorë nga ky vendim për mbrojtjen e produkteve vendore.
“Unë nuk do të lëshoj pe, pasi jemi edhe në shumë produkte tjera që e dëmtojnë ekonominë e vendit dhe prodhuesit tonë jemi të gatshëm t’iu dalim në ndihmë. Tanimë shteti e ka një përkujdesje ndaj prodhuesve, bujqve. I motivoj të gjithë që të punojnë tokat të fillojnë prodhimin dhe ta rrisin numrin e punëtorëve. Pasi e kanë mbështetje edhe MTI-në, ministrin dhe Qeverinë. Është mesazh i mirë se shteti po merr vendime”, përfundoi Bajram Hasani.
Ky vendim për vendosjen e masës prej 30% për produktet që hyjnë nga vendet e tjera, është miratuar edhe nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit.
Këtu përfshihen mbi 21 produkte kryesisht pemë dhe perime.
Në mesin e këtyre produkteve bëjnë pjesë: Patatja, domatja, speci, trangulli, shalqiri, pjepri, lakra, sallatat, spinaqi, qepa, karrota, molla, dardha, kumbulla, qershia, dredhëz, mjedra, dhe disa produkte të tjera.