Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot bëri shumë shkelje, së pari duke mos e vendosur mocionin për dialog në votim, së dyti duke kërkuar marrëveshje ndërmjet grupeve parlamentare, ka shkruar deputeti i PSD-së, Visar Ymeri në Facebook.
Ai ka thënë se edhe pas dakordimit tonë, që kjo çështje të hedhet në votim në seancën e re, ai këtë nuk e bëri. Ai i bëri sërish dy shkelje, nuk lejoi fjalën e propozuesit dhe as as nuk i lejoi deputetët të vendosin për mocionin.
Sipas Ymerit, sot qartazi kishte interesim nga deputetët që të debatojmë për dialogun në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kështu edhe u dakorduam me të gjitha grupet parlamentare në fillim të seancës. Sidoqoftë Grupi parlamentar i PDK-së ndërruan mendje dhe kryetari i Kuvendit përkundër marrëveshjes në mes të grupeve parlamentare nuk e hodhi fare në votim mocionin. Kjo është shkelje procedurale.
Për më tepër se kaq, ky dialog dhe mësyerja e pakuptimtë për vazhdimin e tij pa legjitimitet demokratik nga Kuvendi e pa platform e strategji, e rrezikon seriozisht Republikën tonë.
“Deri tash ky dialog, prej se ka filluar në vitin 2012 na e ka ndryshuar emrin politik nga Republika në fusnotë, na e ka fuqizuar e zyrtarizuar praninë politike të Serbisë në Kuvend e Qeveri përmes listës serbe, dhe së fundi rrezikoi të na e kthej me kokë te poshtë rendin kushtetues përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, për ta formalizuar ndarjen, e thelluar identifikimin etnik politikë në dëm të barazisë e drejtësisë qytetare, në dëm të integrimit të njerëzve e territorit, në dëm të përbashkimit e funksionalizimit të resurseve e tregut”, ka shkrua ai.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të debatojmë në Kuvend për dialogun. Është tejet e rëndësishme që ky vazhdim i dialogut pa diskutim, pa legjitimitet, pa përfaqësim serioz e pa mbikëqyrje të ndalet. Është jetike për Kosovën që vendimmarrja të kthehet në Kuvend.
Sipas tij, qëndrimi i GP të PDK-së, se meqenëse një pjesë e opozitës po e bojkoton votimin në Kuvend, as PDK nuk do të votojnë nismat e opozitës është i pakuptimtë. Koalicioni qeverisës ka përgjegjësi karshi shtetit, e veçanërisht karshi dialogut të cilin po e vazhdojnë. Këtë përgjegjësi ata duhet ta bartin veçanërisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku i japin llogari deputetëve e qytetarëve.