Procesi i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, proces ky, i cili që nga fillimi është konsideruar si human, vazhdon të mbetet peng i politikës, vlerësojnë përfaqësuesit e familjarëve të këtyre personave, si dhe zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, thotë se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet shqetësim i familjarëve të këtyre personave dhe institucioneve të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, ekziston pakënaqësia me aktivitetet,gjatë këtij viti, në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

“Deri më tash, këtë vit, vërtet ne nuk jemi shumë të kënaqur me aktivitetet për gërmime dhe vlerësuese. Deri më tani janë zhvilluar gërmime në katër pika, gjegjësisht në katër lokacione. Për fat të keq, vetëm në një pikë ka pasur gjetje. Por, megjithatë, ne jemi të interesuar – madje kemi qenë në kontakt me Prokurorinë, e cila merret me urdhër-dhënien për gërmime vlerësuese, në bazë të informatave që kompletohen nga autoritetet kompetente – për t’u shfrytëzuar koha verore. Besoj që do të jetë një dinamikë tjetër, tani për tani”, thekson Gjetaj

Por, përfaqësuesit e Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, vlerësojnë se gjatë këtij viti, kur Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) po i bart kompetencat tek institucionet vendore, procesi për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ka shënuar ngecje.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti ende nuk ka asnjë hulumtim e as gërmim për varreza të mundshme masive të reja, në Serbi dhe në Kosovë.

“Sivjet është pranim-dorëzimi prej EULEX-it në vendorë dhe është ngrirë kjo çështje plot tre muaj. E ngrirë është, nuk ka përparime. Nuk ka vullnet politik që të shtyhet ky proces përpara. Mund të them se ama asgjë nuk kanë punuar gjatë këtij viti. Kështu që i gjithë ai plan i veprimit, derisa është bërë, tash ata mendoj se do ta presin vitin e ri dhe të thonë se ‘tash është kohë e keqe dhe nuk mund të punojmë’. Bëjnë plane të veprimit dhe kur vjen vera, prapë nuk bëjnë asgjë. Do të thotë, politika e brendshme me atë të jashtmen, nuk e kanë vullnetin politik për zbardhjen e fatit të pagjeturve”, konsideron Qerkini.

Më 10 korrik, në Samitin e Londrës, princi Charles, ka ngritur çështjen e personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur gjatë luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë, në vitet ’90, të shekullit të kaluar. Liderët e vendeve të rajonit janë zotuar se do të punojnë për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe i ngarkuar nga ai, si mbajtës i dosjes së personave të pagjetur, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se samiti i Londrës dhe angazhimi i princit Charles, ka siguruar një bazë të mirë për përparimin e procesit.

“Jemi në rrugë të mbarë, meqenëse kjo është internacionalizuar tani edhe me samitin e fundit në Londër. Është nënshkruar edhe një deklaratë nga të gjithë pjesëmarrësit e Samitit të Londrës, si pikë e veçantë për çështjen e zbardhjes së fatit të të zhdukurve. Në të njëjtën kohë, duhet falënderuar edhe princin Charles, i cili në një fjalë të tij shumë domethënëse, në një ngjarje që e ka organizuar, në prezencën e të gjithë liderëve e ka futur edhe çështjen e të zhdukurve dhe është angazhuar për zbardhjen e fatit të të zhdukurve në Ballkanin perëndimor”, thotë Lluka.

Por, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur e ka lehtësuar Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Por, mandati i tij ka qenë humanitar dhe nuk ka mundur të bëjë presion te palët, në Beograd dhe Prishtinë, që t’i zbardhin të dhënat mbi varrezat e mundshme masive.

Gjetaj thotë se autoritetet e Kosovës janë të bindura se ekzistojnë ende varreza masive në Serbi, ku dyshohet se mund të jenë mbetjet mortore të civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ato edhe më parë, sipas tij, kanë shprehur interesimin për të biseduar me autoritetet serbe për lehtësimin e procesit. Por, siç thotë ai, autoritetet serbe nuk kanë dhënë dhe vazhdojnë të mos japin informacione, mbase edhe për faktin se ato ndërlidhen me krimet e luftës, ndërkohë që, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka qëndruar pasive.

“Unë jam qe 10 vjet në këtë proces. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë fort e gatshme që të merret me këtë çështje. Ne kemi edhe informacione që ka ndodhur që të thonë se ‘kjo është çështje humane’ dhe të mbetet në përgjegjësinë e institucioneve, organizatave, bisedimeve reciproke me karakter human”, thotë Gjetaj.

Ai shpreh mendimin se çështja e zbardhjes së fatit të personave pagjeturve, ndonëse është humane, duhet të trajtohet politikisht dhe si e tillë duhet të futet në agjendën e temave në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Se kjo çështje do të jetë temë e dialogut të Brukselit, sipas Qerkinit, patën premtuar edhe drejtuesit e institucioneve të larta të Kosovës, tash e disa vite.

“Në qoftë se ka të bëjë vetëm me dialogun në Bruksel – ndonëse kemi pasur premtime jo një herë, por shumë herë dhe së fundi edhe nga presidenti- ende nuk ka shenja se do të mbahet një takim dhe se do të bëhen bisedime rreth të pagjeturve. Kanë thënë se do të jetë një temë e veçantë për personat e pagjetur. Megjithatë, ende jo”, shprehet Qerkini.

Por, a do të jetë çështja e të pagjeturve temë e bisedimeve në Bruksel?

Lluka thekson se çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Pa zgjidhjen e fatit të njerëzve tanë, pa zbardhjen e fatit të tyre, nuk mund të ketë qetësi në Kosovë, e as në Ballkan. Familjarët tanë janë për çdo ditë me kërkesa të ndryshme. Bisedimet në Bruksel… ta shohim, presidenti do ta caktojë ekipin e vet dhe me siguri që çështja e të zhdukurve do të diskutohet edhe në Bruksel”, thekson Lluka.

E, rreth 19 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 650 personave, të cilët konsiderohen të pagjetur.