Arrestohet një person i dyshuar për kontrabandë me mallra.

Gjatë kontrollimit të njësisë së trafikut rajonal në zonën e Vushtrrisë, drejtuesi i një veture me targa vendore nuk ka respektuar urdhrin e zyrtarëve policorë për ndalim, ku i njëjti ka devijuar nga rruga nacionale në drejtim të rrugëve të tjera.

“Njësitë policore janë vënë në ndjekje të veturës në distancë 10 km, ku i dyshuari pas braktisjes së veturës në një zonë të thellë malore kishte bërë përpjekje që në këmbë t’u shmanget policisë, si rezultat i bashkëveprimit ndërmjet njësisë së trafikut dhe njësive policore në Vushtrri, ka rezultuar që të ndalohet dhe arrestohet i dyshuari K.K. 28 vjeç”, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë.

Në veturën e të dyshuarit janë gjetur rreth 119.000 copë cigare, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave doganore.