Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane ka thënë se pas rekomandimit pozitiv të vizave për Kosovën, në procedurat në vazhdim, Kosova mund të ketë sfida në Këshillin e Ministrave.
Krejt kjo, sipas ministres Hoxha mund të ndodhë për shkak të debatit të fundit në BE për emigracionin, raporton lajmi.net.
“Është lajm i mirë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ka qenë një lajm i qartë pa dykuptimësi, mirëpo ky është vetëm hapi i parë. Tani hapi tjetër është në Komisionin për Politikat e qytetarëve, takim ky që do të mbahet më 29 gusht. Dhe aty pastaj do jipet mandati negoaciues dhe fillon dialogu mes shteteve”, u shpreh Hoxha.
Ndërkaq duke folur për hapat e rradhës për liberalizimin e vizave për Kosovën, Hoxha tha se mund të ketë pengesa në Këshillin e Ministrave të BE-së.
“I gjithë ky proces duhet të përmbyllet në mes traktatit të BE-së dhe Kosovës. E pranoj qe mund të kemi sfida në Këshillin e ministrave pasi që disa ministra janë më konzervativ, mirëpo ne jemi duke hartuar një plan veprimi së bashku me Qeverinë”, u shpreh Hoxha.
Hoxha po ashtu tha se plani i veprimit do të hartohet edhe me Kuvendin e Kosovës dhe Komisionit, ku edhe do të lobohet tek shtetet e ndryshme për të paraqitur të arriturat e Kosovës.
Kujtojmë se Komisioni Evropian rekomandoi liberalizmin e vizave për Kosovën, duke dhënë lajmin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret në këtë drejtim.