19:44 – Policia e Kosovës nga Rajoni i Pejës ka njoftuar në lidhje me aksidentin e sotëm me fatalitet që ndodhi rreth orës 14:10 në rrugën Prishtinë-Pejë, gjegjësisht në fshatin Gllarevë.

Në këtë aksident, fillimisht u raportua të kenë humbur jetën dy persona ndërsa katër ishin të lënduar, mirëpo Policia ka njoftuar tashmë se edhe një i aksidentuar i tretë ka humbur jetën.

“Në këtë aksident ishin të përfshira tri automjete; një veturë “vw pasat” me targa vendore, një autobus i markës “Setra” me targa vendore, dhe një veturë e markës “Jaguar” me targa te regjistrimit të Republikës së Shqipërisë. Viktima të këtij aksidenti janë 3 shtetas të Kosovës, një (1) e gjinisë femërore dhe dy (2) të gjinisë mashkullore, një prej të cilëve ka humbur jetën në vend të ngjarjes, viktima e dytë ka ndërruar jetë rrugës për në ambulanten e Klinës, kurse viktima e tretë, pasi që kishte lëndime të rënda trupore, është dërguar me autoambulancë në QKUK Prishtinë por i njëjti ka arritur pa shenja jete. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor. Tre të lënduarit, pas marrjes se ndihmë se parë në spitalin rajonal në Pejë, lirohen për shërim të mëtutjeshëm në shtëpi”, njofton Policia e Pejës.

Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurorja e shtetit, e cila ka marrë pjesë në vendin e ngjarjes dhe me urdhrin e saj trupat e viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore.

Sipas të dhënave preliminare, dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës VW PASAT ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Gllarevë, hyn në tejkalim dhe i njëjti me pjesën e parë ballore përplaset në autobusin i cili ishte duke qarkulluar në drejtim të Prishtinës dhe pas kësaj goditje përplaset edhe me veturën “Jaguar” i cili ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës.

Rasti procedohet nga Njësia e hetimeve të aksidenteve NJRKRR- DRP Pejë.