Togeri i Policisë së Kosovës, Habib Morina edhe një herë tjetër u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, Morina u dënua me pesë muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti, në afat të verifikimit prej një viti, nuk kryen vepër të re penale.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Xheladin Osmani deklaroi se pas respektimit të rekomandimeve nga Gjykata e Apelit dhe analizimit të serishëm të të gjitha provave, është gjetur se Morina ka kryer veprën penale që i ngarkohet me aktakuzë, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur ndaj Habib Morinës, të cilin e akuzonte se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, Morina, me qëllim që t’i shkaktojë përfitim material Miftar Papës, kishte lejuar që i njëjti të largohej me 39 thasë çimento të vjedhur, me ç‘rast i kishte shkaktuar dëm Nuhi Bytyqit.

Aktakuza përshkruan se si pala e dëmtuar Nuhi Bytyqi nga Suhareka, kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Suharekës, për vjedhjen e 39 thasëve çimento nga oborri i shtëpisë së tij.

Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë, gjatë një pike kontrolli është ndaluar Miftar Papaj, i cili kishte të ngarkuar në automjet 39 thasë çimento, mirëpo rreshteri Morina nuk kishte lejuar që i njëjti të ndalohej dhe të konfiskohej sasia e çimentos së bashku me automjetin.

Përndryshe, i akuzuari Habib Morina, më 29 shtator 2017, ishte shpallur fajtor për herë të parë nga Gjykata Themelore në Prizren për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, dhe ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë.

Fillimisht, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, të akuzuarin Morina e pati dënuar me burgim efektiv prej gjashtë muajsh, por me kërkesë të të akuzuarit, dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2 mijë euro.

Mirëpo, Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesës së të akuzuarit Morina, më 30 janar 2018, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin ta kthejë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë është në kundërshtim me përshkrimin faktik nga dispozitivi i aktakuzës, sepse në aktakuzë nuk flitet për mos zbatim të urdhrave nga togeri Afrim Sylaj, i cili poashtu nuk është dëgjuar për të vërtetuar gjendjen faktike.

Apeli poashtu ka thënë se për të vërtetuar se i akuzuari ka keqpërdorur pozitën e ti zyrtare, duhet të dëshmohet nëse ka pasur apo jo të drejtë të ndërmarrë veprimet që i ka ndërmarrë në natën kritike, apo cilat janë veprimet që nuk i ka ndërmarrë, duke i ndërlidhur me dashjen e tij për të përfituar dikush apo për të dëmtuar dikë.