Në komunën e Podujevës gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile. Ky vlerësim doli nga mbledhja e sotshme e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi i komunës së Podujevës, në të cilën është raportuar për gjendjen e sigurisë, për implementimin e projektit të vendosjes së kamerave të sigurisë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve, transmeton Llapi.info

Mbledhja u kryesua nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, i cili  kërkoi që krahas investimeve në rrugët lokale, të identifikohen problemet dhe rreziqet në rrugën nacionale dhe rrugët rajonale dhe këto probleme të adresohen në Ministrinë e Infrastrukturës.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi.

Sipas kapiteni Bislimit, numri i përgjithshëm i rasteve kriminale, të raportuara në polici, vazhdojnë të shënojnë rënie, numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje ka shënuar rritje. Ai po ashtu për numrin e aksidenteve në komunikacion, për çka Policia e Kosovës ka ndërmarr masa shtesë përmes “Task Forcës” së krijuar.

Në takimin e KKSB u diskutua edhe për implementimin e projektit të vendosjes së kamerave të sigurisë në qytet. Komandanti i Stacionit të Policisë, Bekim Bislimi, tha se tashmë janë identifikuar rrugët dhe zonat në qytet, por edhe në disa fshatra, ku është planifikuar vendosja e kamerave të sigurisë, të cilat do të ndikojnë në krijimin e sigurisë për qytetarët.

Zyrtarët përgjegjës thanë se mbeten prioritet projektet infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve. Në këtë aspekt u përmendën projektet e shenjëzimit horizontal dhe vertikal të rrugëve, ndërtimi i trotuareve dhe rrjetit të ndriçimit publik.

Drejtori i Arsimit, Agim Blakçori, prezantoi informatë për sigurinë në shkolla gjatë vitit shkollor 2017/18. Me këtë rast ai përmendi investimet e bëra në infrastrukturën shkollore dhe përreth shkollave, siç janë ndërtimi i rrethojave të oborreve të shkollave dhe trotuareve që shpien në shkolla si dhe ndriçimin publik, me qëllim të ngritjes së sigurisë për nxënësit.  Drejtori Blakçori potencoi edhe bashkëpunimin e mirë më Policinë e Kosovës në realizimin e fushatave vetëdijësuese për nxënësit kundër dukurive negative./Llapi.info

Situata e sigurisë në Podujevë vlerësohet e qetë