Zëvendëskryeministri i arsimit, Hesert Sahiti, në hyrje të raportit të tij të punës, i ka mbajtur një ‘ligjëratë’ kryeministrit për rregulloren e qeverisë, duke ia shpjeguar përgjegjësit që ka si zëvendësministër.
“Detyrat e zëvendësministrit janë si vijon: ndihmon ministrin në caktimin e prioriteteve, në zhvillimin dhe zbatimin e politikave të Qeverisë dhe Ministrisë; me autorizim të ministrit merr pjesë në hartimin e vendimeve dhe të akteve tjera që rregullojnë aktivitetet e kabinetit të ministrit dhe Ministrisë…”, thuhet në hyrjen e raportit të tij.
Zëvendësministri i MASHT-it në raportin e punës 100 ditore të tij, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, ka listuar edhe punët që ka kryer këto ditë.
E ndër punët kryesore që ka pasur ky zëvendësministër ka qenë një takim pikërisht me kryeministrin Ramush Haradinaj. Madje, në raportin e tij të punës, zëvendësministri i raporton kryeministrit se cka është fol në takimin ku edhe vetë Haradinaj ishte prezent.
Thotë se gjatë vizitës së Haradinajt në MASHT është folur për përmirësimin e kushteve nëpër shkolla dhe ngritjen e cilësisë së arsimit.
Më pas ai thotë se ka shqyrtuar disa udhëzime administrative të Ministrisë së Arsimit.
Veç kësaj, në këtë raport tregon se ka marrë pjesë në tri mbledhje të Qeverisë duke zëvendësuar ministrin Shyqyri Bytyqi.
Sahiti thotë se ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e disa shkollave dhe takime tjera.
“.. takime me zëvendësministrat dhe kabinetin e ministrit lidhur me koordinimin dhe mbarëvajtjen e punëve në MASHT”, thuhet ndër tjera në këtë raport.